13:15 / E Diele, 26 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Eliminohet për herë të dytë Italia, Peruja heq ligjin që ia rrezikonte Kupën e Botës

Parlamenti i Perusë i ka mbyllur çdo shpresë Italisë (por edhe vendeve të tjera) për të shkuar në Botërorin e “Rusi 2018”. Pak ditë më parë, FIFA pat deklaruar se mund të pezullonte kombëtaren e Perusë nga Botërori i vitit të ardhshëm, për shkak të një ligji që ishte propozuar nga parlamenti i këtij vendi, që synonte bashkimin e Federatës Peruane të Futbollit me Institutin Peruan të Sportit. Ky ligj ishte kundërshtuar nga FIFA, që pat kërcënuar Perunë për përfshirje të politikës në sport, që mund të edhe masa ekstreme, deri në përjashtim.

Por sot, deputetja Paloma Noceda, që pat propozuar atë ligj, ëhstë tërhequr pas dhe ka deklaruar se e ka anulluar propozimin e saj, që do të vinte në rrezik praninë e Perusë në Botërorin e vitit të ardhshëm. “Ne arritëm të kualifikohemi në Kupën e Botës me shumë sakrifica dhe mund, ndaj nuk do ta vë kurrë në rrezik këtë eveniment për vendin tonë. Për paqen dhe qetësinë e të gjithëve do të bëj një hap pas në veprimin tim politik”, tha Noceda. Kështu, Italia dhe Kili, që shpresonin të ripeshkoheshin, tashmë nuk kanë asnjë shans për të shkuar në Botëror.