75 Mall Live Search
10:39 / E Martë, 21 Maj 2024 / L K

ËMBLEMA E PROPAGANDËS SË SHFRENUAR SERBE

Shkruan, Xhafer Shatri

Vitet ’80 të shekulli të kaluar njihen si periudhë e persekutimit masiv të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Të gjitha organet e shtetit ishin mobilizuar për t’i shtypur shqiptarët duke i përndjekur, duke i arrestuar dhe duke i dënuar me qindra shekuj burg. Edhe vrasjet praktikoheshin rregullisht sidomos ndaj ushtarëve shqiptarë dhe ndaj demonstruesve paqësorë që mbronin autonominë e rrezikuar të Kosovës me trupin e tyre të njomë…
Në këtë terror politik printe propaganda e fuqishme serbe. Ajo shërbehej me rrena, sajime dhe shpifje të tejdukshme. Fushatat e organizuara nga qendra të specializuara për propagandë antishqiptare mëtonin t’i paraqesin shqiptarët si armiq të Jugosllavisë ndërsa serbët e Kosovës si viktima të tyre…
Njëri prej shëmbujve më ëmblematik të asaj propagande të rrezikshme ishte sajimi i një fotografie, që paraqiste një grua nga fshati Prekallë i komunës së e Istogut, e cila shkonte për të punuar arën duke mbajtur foshnjën në gji dhe pushkën në krah.
Asokohe ekipe të shumta të medieve serbe po edhe jugosllave krahas policisë federale ishin vendosur në Kosovë dhe qëmtonin e sajonin lajme përmes të cilëve ushqenin flakët e propagandës së shfrenuar të Serbisë dhe e bënin të harbojë terrorin policor.
Në shtator të vitit 1988, një ekip i gazetës ultranacionaliste «Politika» po qëndronte në Kosovë. Fotografi i saj Mioljub Jelesijeviq, shkon në fshatin Prekallë. Aty takon duke shkuar me fëmijtë e saj për të punuar në arë nënën e re Vera Raçiq. Ajo mbante në gji foshnjen e saj, ndërsa tre fëmijë të tjerë i shkon para e mbrapa.
Fotoreportreri i bën disa fotografi të nënës me fëmijë dhe pastaj i lind ideja diabolike që ta gjej një pushkë dhe t’ia vërë asaj në krah. Shkon te fqinji i saj, e merr aty një pushke gjuetie dhe e bën foton.
Fotoja u bë simbol i rrezikimit të serbëve të Kosovës nga shqiptarët. Ky rrezikim i detyronte madje edhe gratë serbe që të armatoseshin për t’i mbrojtur fëmijtë e tyre…
Kjo fotografi e sajuar pati marrë dhenë.
Ndërkaq Vera Raçiq, u bë personazh i njohur i medieve dhe i politikës serbe. Shteti por ndërmarrjet e ndryshme gjithandej në Serbi i dërgonin asaj të holla, ia ndërtuan shtëpinë dhe ia mundësuan që familja e saj të ketë një jetë vërtetë të begatë.
Por kjo nuk zgjati shumë, sepse fqiu që ia kishjte dhënë pushkën asaj, tashmë i pakënaqur që vetë nuk përfitoi asgjë, e paditi Vera Raçiqin në gjykatë pse ajo nuk po i ndante me të të mirat që i vinin falë fotografisë me pushkë në krah…
Kështu i doli boja njërës prej rrenave më të njohura antishqiptare që kishte zier kuzhina nacionaliste e Beogradit…
Mirëpo Serbia nuk do të ishte kjo që është po të mos i mbronte rrenat e saj me fanatizëm maksimal:
Gati 30 vjet më vonë, më 24 mars 2017, në sallën solemne të Shtëpisë së Ushtrisë, në Beograd, u vendos një relief në bronzë, me madhësi 1 m me 70 cm e në të 9 gra të njohura nga historia dhe mitologjia serbe. Gravurën e sqaron një frazë e vetme që dëshmon se sa shumëfytyrshe dhe sa e paskrupull është propaganda serbe;
DUKE I MBROJTUR DJEPAT, KENI MBROJTUR FATIN E POPULLIT!
Në këtë relief, krahas nënës së themeluesit të fesë dhe të shtetit serb, Savës së Shenjtë është e gravuar edhe «Nëna serbe nga Prekalla», Vera Raçiq!