10:31 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Emërohen anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, duke përmbyllur kështu zotimin e Qeverisë për kompletimin e të gjitha bordeve. Po sot, Qeveria ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit shtetëror të cilësisë (KSHC) të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA-së), duke e përmbushur një tjetër zotim të funksionalizimit të institucioneve të rëndësishme të vendit.

Në mbledhjen e sotme, e 39-ta me radhë, Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka falënderuar Kuvendin e Kosovës për Miratimi në lexim të dytë të projektligjeve të parapara me Agjendën për Reformë Evropiane (ERA) dhe Raportin për vendin, pako kjo të cilën Kuvendi me procedurë të përshpejtuar dhe shmangie nga afatet procedurale e ka miratuar, në seancën plenare të mbajtur më 30/03/2018.

Kryeministri Haradinaj bashkë me Kabinetin Qeveritar kanë aprovuar edhe Projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare, qëllimi i të cilit është rregullimi i licencimit, veprimtarisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, u aprovua Udhëzimi Administrativ për Planifikimin dhe Hartimin e Dokumenteve Strategjike dhe Planeve të Veprimit, i cili ka për qëllim të krijojë praktikë unike në procesin e planifikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjike ashtu siç është përkufizuar me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet vendosjes së kritereve dhe metodologjisë së unifikuar, si dhe përcaktimit të detajuar të të gjithë hapave procedural rreth përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve strategjike.

Në mbledhjen e sotme u aprovua edhe Rregullorja për Menaxhimin e Projekteve në Fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përmes së cilës bëhet përcaktimi i standardeve dhe rregullave unike për inicimin, planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe kontrollin, si dhe përmbylljen e procesit të menaxhimit të projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në institucionet e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Grupit Punues Teknik me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe miratoi nismën për negocimin e Marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë lidhur me njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Po ashtu, u aprovua Nisma për negocimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite, për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimin në të Hyra dhe Kapital, e cila do të zbatohet për tatimet në të hyra të vëna në emër të Shtetit Kontraktues apo të nëndivizioneve të saj politike apo autoriteteve lokale, pavarësisht mënyrës se si vjelën ato. Poashtu, u aprovua edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes me Dukatën e Madhe të Luksemburgut lidhur me Projektin “Mbështetje për Reformën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë, e cila do të arrijë shumën deri në 5 milionë euro, në bazë të granteve.

Në fund të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, falënderoi ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj për punën e treguar në funksionin e tij, por tha se aksioni për deportimin e shtetasve turq, është një aksident që i ka ndodhur Kosovës dhe si i tillë duhet të jetë i fundit dhe për këtë arsye është kërkuar lirimi nga detyra i ministrit dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi si dëshmi e përkushtimit për funksionimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.