11:30 / E Premte, 03 Shkurt 2023 / S Z

Emini: QKUK s’ka kushte e as anesteziolog, Ligji i njëjtë si për barna si për tulla

Gjendja në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), ka bërë që shumë mjekë si zgjidhje ta shohin largimin nga aty. E në QKUK ka dhe mungesë të madhe të anesteziologëve.

Lulzim Emini, kryetar i Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, në një intervistë për “IndeksOnline” thotë se në QKUK janë vetëm 45 anesteziologë, e që është numër shumë i vogël, krahasuar me nevojat që ka QKUK-ja.

Gjendja me numër të anesteziologëve në QKUK edhe më tutje është e vështirë, ashtu siç ka qenë dhe muajin e kaluar. Momentalisht kemi 45 anesteziolog në QKUK, kurse për tu plotësuar standardet minimale në QKUK, do të duhej të ishte dyfishi i këtij numri”, tha ai.

Ndërsa thotë se puna e anesteziologëve të cilët janë të pakët në numër është vështirësuar tej mase, pasi që anesteziologët duhet të mbulojnë shumë salla operacioni dhe shumë njësi..

“Është jashtëzakonisht e vështirë shumë e vështirë. E di se kjo nuk do të thotë asgjë për ata që marrin vendime. Sepse mendoj se ata ende nuk e kanë kuptuar seriozitetin e situatës. Për këtë arsye dhe të ankohesh dhe të thuash që është shumë e vështirë, kjo vlen vetëm për ne që jemi në mesin e anesteziologëve. Sepse kjo thënie që është e vështirë, nuk vlen madje as për koleget tanë që janë mjekë. Sepse as ata nuk e dinë nivelin e vështirësisë të kësaj pune edhe pse mund të shihemi çdo ditë me ta”, tha ai.

Ndërsa thotë se vetëm vitin që shkoi nga QKUK-ja janë larguar 10 anesteziologë dhe se për dy vjet e gjysmë, punën e kanë lëshuar 20 anesteziologë dhe se kjo është një humbje e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor.

Për dy vjet, dy vjet e gjysmë sot jemi 45 jemi tkurrë për më shumë se 20 anesteziolog, është zvogëluar numri. Edhe atëherë ka qenë i vogël. Kjo është humbje e jashtëzakonshme për ata që marrin vesh pak në mjekësi. Kjo është humbje e jashtëzakonshme, për sistemin shëndetësor. Për mua është e befasishme që nuk ka pasur asnjë hap, asnjë veprim deri më sot”, tha ai...

Madje thotë se janë ndjerë dhe të turpëruar për pagën që kanë marrë.

Nëse e shikojmë ne pagesën dhe angazhimin e punës, po flas për anesteziologët, ndonjëherë  na vjen marre dhe turpërohemi me tregu rrogën tonë qoftë dhe në shoqëri të lirë..Kurrë asnjëherë QKUK-në nuk e kanë lëshuar më shumë mjek, se në vitin 2022. Asnjëherë nuk ka ndodh në histori të QKUK-së që më shumë mjek të dalin nga ky institucion”, tha ai.

Emini ndër të tjera thekson se mjekët nuk janë të kënaqur as me koeficientin që e caktoi Qeveria tani,  vlera e të cilit është 105 euro. Edhe me koeficientin e ri sipas Eminit, mjeku nuk e ka pozitën adekuate në shoqëri, pasi që është ranguar shumë më poshtë se sa që e meriton.

Mjeket janë ranguar shumë më poshtë se sa ata e meritojnë sot dhe se sa e kanë merituar. Po flasim për 23- 24 vjet pas luftës, s’kanë mbërri ta bëjnë një pagë dinjitoze të qëndrueshme për mjekë. Mendimi im personal është po jashtëzakonisht të pakënaqur. Nuk mundesh me u thirrë në atë e ke pas pagën shumë të ulet dhe ne ta kemi rrit dy herë, se e ke  pas të ulët për sa dekada….Ti nuk mundesh sot dikujt që ka marrë pagën jashtëzakonisht të ulët, turpshëm të ulët me thanë tash ta kemi ngrit pagën 100 për qind dhe prapë je i pakënaqur…Ai që e ka pagën e ulët dhe kur flasim për ngritje 100 për qind është pak, varet prej cilës bazë je nis. Ky është mendimi im personal, se mjekët prapë do të jenë të pakënaqur”, tha ai.

Por jo vetëm pagat e ulëta kanë ndikuar në punën e tyre. Sipas tij në QKUK mungojnë dhe kushtet për të ofruar shërbime sa më të mira.

Edhe mungesa e barnave dhe e materialit shpenzues edhe e citostatikëve edhe e shamponave për larje të duarve dhe letrës higjienike dhe mungesa e kompjuterëve, printerëve në disa njësi të anestezionit, që është mungesë dhe raportet me i shkru dhe uniforma me qenë komode dhe e blerë me kohë dhe me dit sa herë në vjet  mundet me e ndërru uniformën mbathjet. Cilat do të jenë mbathjet e stafit sa herë në vjet. Kjo do të ishte dashur të jetë automatike dhe të caktohet , jo të blihen qoftë rrobe qoftë mbathje të cilësisë me të dobët e mandej ne me shku privatisht me i ble. 80 për qind të uniformës gjatë karrierës sime që punoj që afër 30 vite 80 deri 90 për qind të uniformën e kam ble vet. Ky është indikator që asnjëherë cilësia nuk ka qenë në nivelin e duhur”, tha ai.

Por thotë se tenderët dhe mënyra si jepen ata, e kanë vështirësuar jashtëzakonisht punën në QKUK, pasi që sipas tij ligjet vlejnë njëjtë si për blerjen e barnave si për blerje të tullave, gjë që nuk është aspak në rregull.

“Gjithçka duhet të rregullohen dhe tenderët duhet të bëhen me kohë. Mirëpo tenderët e kanë vështirësuar jashtëzakonisht shumë punën dhe të profesionistëve shëndetësor dhe popullatës. Ngase këtu ligjet janë njëjtë sikur me ble tulla dhe beton, sikur me ble barna dhe shiringa që është gabim. Tenderët për mjekësi, për urgjenca duhet të jenë të natyrës tjetër”, tha ai./IndeksOnline/