18:58 / E Premte, 26 Shkurt 2021 / Blerim

Ende nuk dihet se kur do të rifillojnë gërmimet në Kizhevak të Serbisë

Me 12 dhjetor të vitit të kaluar në Kizhevak të Serbisë, është konservuar me standarde pesë-shtresore, gërmimet e mbetjeve mortore gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E, për shkak të kushteve atmosferike gërmimet janë ndërprerë, për të rifilluar deri në përmirësimin e motit, shkruan Indeksonline.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovës, Arsim Gërxhaliu në një deklaratë për Indeksonline, ka thënë se do të këtë takim me grupin punues dhe do të diskutojmë për rifillimin e gërmimeve.

“Ne e kemi pasur në plan këtë javë të takohemi me grupin punues, që do të diskutojmë për rifillimin e gërmimeve, por njëri prej anëtarëve ka rezultuar pozitiv me koronavirus, e për këtë arsye është shtyrë takimi. Pas këtij takimi që do ta kemi së bashku me grupin punues, përafërsisht do ta dimë se sa kohë do të merr, për shkak të kushteve meteorologjike”, ka thënë Gërxhaliu.

Gjithashtu, Gërxhaliu ka shtuar se nëse do të jenë kushtet atmosferike të mira, do t’i qasen menjëherë punës në Kizhevak.

Ndërkaq, koordinatori i delegacionit të Kosovës për persona të pagjetur, Ibrahim Makolli, në një intervistë për Indeksonline, ka thënë se po presin rekomandimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore.

“Ne po i presim rekomandimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore, sepse në mbështetje të këtyre rekomandimeve janë pezulluar këto gërmime, por tash do të rifillojnë sapo ata të japin rekomandime varësisht prej motit. Nëse fillojmë tani dhe më vonë do të ketë përkeqësim të motit atëherë dëmi do të jetë i madh”, ka thënë Makolli.

Ndër të tjera, Makolli ka thënë takimi do të jetë në fillim të javës së parë apo të dytë të muajit mars.

“Eventualisht ka fundi i javës së parë të marsit, apo të javës së dytë të muajit mars do të kemi takim dhe do të dakordohemi për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Makolli.

I pyetur se për sa trupa bëhet fjalë, Makolli ka thënë se pala serbe e din numrin e saktë të trupave, sepse ata kanë bërë varrosjen e tyre.
“Për trupa ne nuk e dimë saktë numrin e tyre, por pala serbe e din për numrin e saktë të trupave, sepse ata e kanë bërë vetë varrosjen në Kizhevak. Është e vërtetë që sipas mjeko-ligjorëve janë 4 ose 5 trupa, të mbetjeve mortore që ata vlerësojnë, por mund të jenë edhe më shumë, për shkak se mund të ketë përzierje të eshtrave, por nuk dihet ende numri i saktë, e atëherë kur do të tërhiqen gjitha mbetjet mortore që janë atje në atë varrezë, pastaj i bëhet analiza mjeko-ligjore për ta vërtetuar identitetin e tyre dhe numrin se sa janë”, ka deklaruar Makolli.

Ndryshe, në mbështetje të imazheve satelitore janë zbuluar pesë varreza masive në Kizhevak, e këto punime kanë filluar që në vitin 2015.
Makolli ka bërë të ditur se brenda territorit të Serbisë janë edhe dy lokacione të varrezave masive, në Staval dhe tjetri në afërsi të kufirit të Kosovës, në pjesën e Zubin Potokut.

“Kemi edhe 2 lokacione brenda territorit të Serbisë, për të cilat kemi kërkuar prej komunitetit ndërkombëtar të “Kryqit të Kuq”, mundësisht të na sigurojnë imazhet satelitore, për mes të cilave pastaj do të vërtetohet më shumë rreth këtyre lokacioneve. Njëri prej tyre është në Staval, tjetri është në afërsi të kufirit disa dhjetëra kilometra të kufirit të Kosovës kah ana e Zubin Potokut”, bënë të ditur Makolli.

Ekipi kosovar i përbërë nga mjeko-ligjor në Kizhevak, udhëtuan pa përcjellje policore e pa siguri fizike:

Njëri prej mjekëve mjeko-ligjor, që ka marr pjesë në këto gërmime, Naim Uka, për Indeksonline ka thënë se në Kizhevak kanë marrë pjesë një specialist dhe një antropolog mjekoligjor.

“Ekipet tona mjekoligjore gjatë muajve të fundit të vitit 2020, kanë punuar në përbërje të 2 ekipeve (një specialist mjekoligjor dhe një antropologu mjekoligjor), me sistemin rotativ javor. Ekipet mjekoligjore kanë udhëtuar pa përcjellje policore dhe pa kurrfarë sigurie fizike”, ka deklaruar Uka.

Ndër të tjera ai ka thënë se gjatë punës profesionale në Kizhevak, pjesa politike institucionale që merren me çështjen e të zhdukurve është marrë me deklarata politike dhe shkencore nga Prishtina, madje edhe nga njerëz plotësisht jokompetent.

Ai këto deklarata i ka quajtur joprofesionale.

“Këto deklarata jo profesionale, që me siguri nuk i kanë shërbyer as politikës shtetërore, përveç interesave individuale për promovim medial, na e kanë vështirësuar punën tonë profesionale. Ekipet mjekoligjore kanë filluar punën profesionale me rroba personale deri në dy javët e fundit, kur është arritur të sigurohet një pjesë e vogël e uniformave të punës”, ka thënë mjeku-ligjori, Naim Uka.

Uka për Indeksonline ka thënë se po bëhet një lojë e ndyrë e numrave për familjarët e personave të zhdukur.

“Përveç presionit në ekipet mjekoligjore, përmes lojës së ndyrë të numrave bëhet presion i jashtëzakonshëm edhe të familjarët e personave të zhdukur të cilët në ankth presin çdo informatë që vjen në lidhje me varrezën e Kizhevakut. Në fjalorin profesional mjekoligjor, ne nuk guxojmë të prognozojmë, pasi që për numra flitet vetëm mbi bazën e gjetjeve mjekoligjore dhe jo të informatave që nuk janë të konfirmuara me prova materiale mjekoligjore”, ka thënë Uka.

Vendndodhja e varrezave masive të identifikuar në Serbi:

Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Zyrës për persona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa, shkruan Indeksonline.

Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.
Gjithashtu, bëjmë të ditur se më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999./E.Ballazhi/Indeksonline