21:59 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

“Entuziazmi i 6 tetorit po zbehet, fotografia e sotme e Kurtit dhe Osmanit ishte për të tregu se diçka po punohet”

Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka komentuar fotografinë e sotme të takimit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit duke thënë se e sheh si një tendencë të këtyre dy partive për t’i treguar opinionit se po punohet.

“Entuziazmi dhe emocionaliteti i 6 tetorit ka filluar që të zbehet dhe natyrisht që kjo është tejet normale. Tani këto fotografi, si kjo e sotmja, më shumë e shoh si tendencë të koalicionit LDK-VV që të tregojnë se diçka po punohet”.

“Është një presion shumë i madh ndaj këtyre dy partive. E para është krijimi i kabinetit qeveritar, pra kush do të jenë këta njerëz të rinj të cilët do ta kenë përgjegjësinë që ta institucionalizojnë këtë frymë dhe shpresë të qytetarëve të Kosovës që u dëshmua më 6 tetor”.

“Kush do të jenë këta ministra të cilët do të provojnë t’i realizojnë ato premtime të mëdha që janë dhënë qoftë nga Vetëvendosja dhe LDK-ja – si çrrënjosja e korrupsionit, zhvillimi ekonomik, i arsimit, i shëndetësisë dhe të tjera”.

“Në anën tjetër, janë edhe temat e mëdha si dialogu dhe çështja e Asociacionit për të cilat LDK-ja dhe Vetëvendosja domosdoshmërisht do të duhet të gjejnë një kompromis nëse synojnë të bashkëqeveresin”.

Muhaxhiri në Analizën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se është një presion edhe i qytetarëve ndaj LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Qytetarët i kanë sytë drejt këtyre dy partive duke thënë ‘i fituat zgjedhjet, ju dhamë besimin dhe tani na e dëshmoni se ju e keni me plot vizion dhe racionalitet tentimin e ndryshimit të jetës institucionale dhe këtyre ndryshimeve pozitive’”.

“Mendoj se edhe ditëve të ardhshme do të ketë fotografi dhe takime të tilla në mënyrë që t’i ofrohet opinionit publik një simbolikë se diçka po punohet, derisa nuk ka asgjë konkrete”.

“Edhe këto parti kanë thënë se para certifikimit të rezultateve nuk do të ketë diçka konkrete, por kjo nuk do të thotë se nuk do të mund të krijohen opsionet dhe të fillojnë të përfliten gradualisht edhe njerëz të caktuar sepse nuk ka shumë kohë dhe presioni është shumë i madh”.