13:52 / E Enjte, 21 Dhjetor 2023 / AR

Enxhi Nasufi flet për ndarjen pas 7 vitesh lidhjeje

E ftuar në “Live from Tirana”, Enxhi Nasufi rrëfeu se para se të bëhej pjesën e “DWTS”, i ka dhënë fund një marrëdhënieje 7-vjeçare me një person të rëndësishëm në jetën e saj, duke treguar se kjo ishte edhe një ndër periudhat e errëta të jetës së saj.

“Unë kam pasur disa momente të vështira, mund t’i quajmë dhe të errëta, të përjetuara në jetën time. Një moment i vështirë ka qenë ankthi shumë i fortë që e kam përjetuar shumë dhe më ka ndryshuar jetën. Përpara “DWTS” kam pasur një ndarje me një person shumë të rëndësishëm të jetës sime, pas 7 vitesh”, rrëfeu ajo.

Enxhi tregoi se i ka ndryshuar sërish jeta dhe gjërat kanë nisur nga fillimi për të:

“Kështu që ty të ndryshon jeta, ndryshon rutinën dhe gjërat duken sikur nisin nga fillimi. Por duke qenë se unë besoj se gjërat ndodhin për një arsye, kjo më ka dhënë shtysën më të madhe për të fuqizuar veten time, e ndarë nga çdo njeri tjetër”.

Moderatorja tha se është e bindur se djali e sheh me krenari:

“Ai nuk është më pjesë e jetës sime, por është djalë shumë i mirë dhe i uroj gjithë të mirat. Unë e di që më sheh me shumë krenari”, përmbylli ajo.

Moderatorja, më parë ka treguar edhe periudha të tjera të vështira në jetën e saj, si divorci i prindërve. 

“Në 2001-shin, kur kam qenë 6 vjeç, kam përjetuar divorcin e dytë të prindërve të mi, sepse janë divorcuar edhe më parë, por janë ribashkuar, për ta provuar edhe një herë për fëmijën, nëse gjërat shkonin më mirë, por nuk shkuan më mirë”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Ngjarje të caktuara në një moshë aq të vogël, ndoshta të krijojnë vështirësi në momente të caktuara, për shkak se ti ke trauma, ke plagë të pashëruara, zënka, ulërima, akoma edhe sot nuk i duroj dot zhurmat dhe e di që është një gjë që më ka mbetur nga fëmijëria”.

Enxhi rrëfeu se me vetëdijen e saj i ka falur prindërit dhe nuk i fajëson dot, sepse ata aq kanë mundur të bëjnë, por theksoi se fëmijët i kuptojnë gjithnjë problemet e prindërve. “Imagjino se sa punë i duhet atij fëmije përgjatë gjithë jetës së tij që të shërojë veten, të punojë me vetën dhe të procesojë plagë të prindërve”, u shpreh ajo e përlotur.