22:06 / E Shtunë, 31 Mars 2018 / indeksADMonline

Erdogan-Haradinajt: Vëllezërit e mi kosovarë të cilët unë i njoh, do të kërkojnë llogari prej teje

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është kërcënuar së fundi nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Madje gjatë kërcënimit të tij, Erdogan tha se kosovarët duhet të mblidhen për të protestuar kundër tij.

Ndryshe e gjithë kjo deklaratë e tij erdhi pas ngjarjeve të fundit në vend, që nga arrestimi i gjashtë turqve në Kosovë dhe depërtimit të tyre në Turqi, transmeton Indeksonline.

“Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) me një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli në Turqi gjashtë përfaqësues të lartë të FETO’s në Ballkan.Por kam një pikëllim. Çfarë është ky pikëllim?. Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra personin në krye të Inteligjencës dhe Ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?. Ju z.Kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila e mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të jëpësh llogari edhe për këtë”, ka thënë Erdogan.

Gjithashtu përgjatë fjalimit të tij të mbajtur sot në Kongresin lokal të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka thënë se vëllezërit e tij kosovarë nuk i japin kredibiltet një kryeministri si Haradinaj.

“Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di do të kërkojnë llogari prej teje për këtë.Unë e di edhe këtë. Politika nuk zhvillohet me telekomandë. Ata që bëjnë politike me telekomandë ata edhe karrierën e përfundojnë me telekomandë”, përfundoi Erdogan./Indeksonline/