21:24 / E Martë, 18 Korrik 2023 / MSH

Escobar: Të krijohet Asociacioni, Kosova të njihet edhe nga pesë shtete të BE-së

Emisari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për mos-njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së.

Escobar tha se për disa nga vendet, problem është mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe mes Kosovës e Serbisë, e për disa të tjera është shpallja e pavarëissë së Kosovë, ndaj, sipas tij, të njëjtat do të donin të shihnin një marrëveshje normalizimi mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo është një nga arsyet pse Marrëveshja e Ohrit na ofron mundësinë më të madhe në 15 vjet për t’u partnerizuar me Qeverinë e Kosovës për të filluar jo vetëm një fushatë njohjeje rajonale apo evropiane, por një fushatë njohjeje globale”.

“Tani ajo që shumica e këtyre vendeve dëshirojnë të shohin është vullneti i mirë i Kosovës në përmbushjen e pjesës së saj të marrëveshjes, e cila është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Escobar.

Tutje, ai tha se një nga arsyet pse e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës është që të ecë përpara drejt themelimit të Asociacionit, me mbështetjen e Amerikës, “në një mënyrë që të sigurohet që ASM-ja të mos e cenojë Kushtetutën, strukturën e tyre ligjore apo funksionalitetin e tyre”.

“Kështu që ne mund të ecim përpara këtë vit në një fushatë njohjeje. Deri më sot, nuk e kam marrë atë përafrim nga Qeveria e Kosovës”, shtoi Escobar.