09:51 / E Premte, 27 Gusht 2021 / OSH

“Është e papërgjegjshme të mos vaksinoheni”

Omer Xhemali (Dzemali) është shef i kirurgjisë së zemrës në Spitalin Triemli të Qytetit të Zürichut. I lindur në Maqedoni, ai tregon se përse është e ulët kuota e vaksinimit në komunitetin shqiptar dhe çfarë mund të bëhet kundër kësaj.

Ju jeni kirurg i zemrës, pacientët tuaj shpesh duhet t’i nënshtrohen trajtimit intensiv. Tani në trajtim intensiv janë shumë pacientë me Covid, mes tyre shumë njerëz që ngjashëm si ju janë me origjinë nga Ballkani. Me çfarë ndjenja e shikoni këtë gjendje?

Si kirurg zemre unë jam i varur nga reparti i trajtimit intensiv. Është tepër e rëndësishme që aty të kemi kapacitete për t’i trajtuar pacientët tanë. Rritja e tanishme e shifrave është shqetësuese, po ashtu edhe vala e ardhshme, andaj ne mund të gjendemi në një situatë kur pacientëve tanë s’mund t’u ofrojmë cilësinë e trajtimit, e cila u takon. Natyrisht po ashtu më prek fati i çdo pacienti, pa marrë parasysh prejardhjen e tij.

Njerëzit me prejardhje shqiptare po infektohen mbiproporcionalisht me koronë, sepse nuk janë vaksinuar dhe po sëmuren aq rëndë, saqë duhet të trajtohen në spital dhe shpesh madje në reparte intensive. Ç’domethënie ka kjo për ju si njeri me origjinë nga Ballkani?

Është e vërtetë se te ne në Spitalin Triemli janë të shtrirë relativisht shumë persona me origjinë shqiptare, të cilët sapo janë kthyer nga pushimet, fjala është për persona të moshave të ndryshme. Konsideroj se është e papërgjegjshme të mos vaksinohesh. Si mjek unë nuk shoh arsye për të mos u vaksinuar. Por skepticizmi ndaj vaksinimit nuk ekziston vetëm te komuniteti shqiptar, për fat të keq ky skepticizëm është gjerësisht i përhapur. Edhe në Zvicër kuota e vaksinimit e personave që kanë marrë dy doza është ende shumë e ulët – në shumë kantone nën 50 për qind.

Bie në sy se kuota e vaksinimit në shtetet e Ballkanit është tepër e ulët, sidomos në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Shqipëri. Prej nga vjen ky skepticizëm ndaj vaksinimit?

Duhet dalluar dy gjëra: nga njëra anë është skepticizmi ndaj vaksinimit. Ai sigurisht ekziston, por besoj se jo në përmasa shumë më të mëdha se te zviceranët. Nga ana tjetër kuota e vaksinimit është e ulët sepse shtetet e Europës Perëndimore nuk i kanë furnizuar vendet e Ballkanit me kohë me doza të vaksinës. Vendet si Serbia qëndrojnë më mirë, sepse janë furnizuar nga Rusia dhe Kina. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë të orientuara nga Perëndimi, ato kanë marrë tepër vonë vaksina të Biontechut, ndërsa vaksinën Monderna nuk e posedojnë fare. Për këtë shkak vaksinimi ka stagnuar dhe për këtë shkak numri i infektimeve është rritur si pasojë e vizitave nga diaspora gjatë verës.