17:06 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

EULEX-i vazhdon punën në Kosovë edhe pas 15 qershorit

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj për sundimin e ligjit. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, theksoi se edhe pas përfundimit të mandatit, EULEX-i në rolin këshillëdhënës do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë në fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit.

“Pas 15 qershorit të këtij viti, mandati i EULEX-it në Kosovë, do të jetë këshillëdhënës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, është biseduar për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit, si shtyllë qendrore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

Në komunikatë dërguar nga zyra e kryeministrit, gjithashtu thuhet se duke vlerësuar rolin e EULEX-it përgjatë këtyre viteve në Kosovë, kryeministri Haradinaj theksoi se sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Kosovës.

Haradinaj u informua për rrjedhën e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe procesin e shkëmbimit të letrave në mes të Presidentit dhe Përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast falënderoi shefen e EULEX-it, Papadopoulou, për punën dhe angazhimin e saj në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Temat: