17:23 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Eurodeputetët ftojnë pesë shtetet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën

Deputet e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian kanë bërë vlerësimin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2018, drejt rrugës së tyre për anëtarësimin e mundshëm në BE.

Kështu, ata kanë votuar me shumicë votash edhe raportin e Komisionit për Kosovën.

Sipas një njoftimi të këtij komiteti, deputetët e Parlamentit Evropian mirëpresin legjislacionin e miratuar në agjendën evropiane të reformave, por shprehin shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimin e vazhdueshëm politik në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Ata vlerësojnë se kjo po ndikon negativisht në rrugën e reformës së qëndrueshme.

Ata ranë dakord se për ta sjellë Kosovën më afër BE-së, është jetike të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën, dhe për këtë të mos ketë vonesa.

Deputetët e Parlamentit Evropian mirëpresin që Komisioni Evropian ka konfirmuar se kriteret e liberalizimit të vizave janë përmbushur.

Kjo rezolutë ka theksuar që pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën  ta bëjnë këtë, duke shtuar se kjo do të lehtësonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë fqinje. Rezoluta u miratua me 42 vota në 10 me 6 abstenime./Indeksonline/