22:24 / E Diele, 28 Maj 2023 / AR

Eurodeputetja nga Ura e Ibrit: Situata është shumë e tensionuar

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka folur nga Ura e Ibrit për ditën që ka kaluar sot në komunat në veri të Kosovës.

Von Cramon, ka thënë se situata është e tensionuar dhe ka folur edhe për policinë e Kosovës.

“Jam mbi Urën që ndan veriun dhe jugun e Mitrovicës, sot kam qenë në veriun e Kosovës ku kam kaluar ditën duke folur me përfaqësues të shoqërisë civile, opozitën, forca policore dhe institucione në veri. Duhet ta pranoj se është shumë situatë e tensionuar. Pamë shumë automjete të armatosur, forca të armatosura, nuk e di nëse kjo është një ide e mirë në këtë situatë duke futur me forcë kryetarët e zgjedhur të komunave në ndërtesat e komunave”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kryetarët e rinj edhe pse të zgjedhur de jure, nuk kanë forcë të legjitimitetit për tu futur në ndërtesë me forcë, teksa ajo shton se duhet të gjenden zgjidhje të qëndrueshme dhe duhet të ndërtohet besimi në mes të komuniteteve.

“Mendoj se duhet të mendojmë dy herë me të vërtetë për masa të ndërtimit të mirëbesimit, për zgjidhje të mençura dhe të gjeturit mënyra të qëndrueshme të ndërtimit të masave të mirëbesimit në veri të Kosovës”, shtoi Von Cramon.