08:29 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Evropa përfshihet nga stuhia “Eleanor”

Stuhia dimërore Eleanor ka mbërthyer pjesën më të madhe të Europës veriore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ndërsa më herët u përplas në Britaninë e Madhe, duke lënë pa energji elektrike dhjetëra mijëra shtëpi, e duke shkaktuar probleme në qarkullim.

9 persona u plagosën si pasojë e stuhisë në Francë, ku u regjistruan erëra deri në 110 km në orë. Rënia e një peme në Holande shkaktoi një të lënduar.

Eleanor është stuhia e pestë e sezonit. Në Francën veriore mbi 200 mijë shtëpi mbetën pa elektricitet. Stuhia po zhvendoset tani drejt rajoneve të tjera përfshirë Korsikën, ku erërat pritet të arrijnë shpejtësinë e 200 km në orë. Në kryeqytetin Paris dhe në lindje të vendit pati probleme në qarkullimin ajror.

Kulla Eifel u mbyll për shkak të erërave të forta e gjithashtu edhe parqet e qytetit nuk do të jenë të aksesueshme deri në zbutjen e stuhisë për shkak të shqetësimeve për rënien e pemëve.

Në Gjermani, stuhia ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit. Erërat e kaluan shpejtësinë e 120 km në orë në Perëndim duke çuar në paralizim të transportit.
Janë prekur gjithashtu edhe Zvicra, ku mbi 14 mijë shtëpi janë në errësirë dhe Austria, ku në shumë zona rreziku për ortekë pritet të rritet në nivelin e 4, nga 5 që është maksimali.

Belgjika aktivizoi alarmin portokalli me autoritetet që i bënë thirrje qytetarëve të tregonin kujdes nga objektet fluturuese. Në Holandë me shumë se 200 fluturime u anuluan në Aeroportin e Shipolit në Amsterdam, ndërsa shumë prej rrugëve kryesore dhe linjave hekurudhore u mbyllën.

Temat: