10:48 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / B O

Facebook “kurorëzon” Dua Lipën si mbretëreshë të Shqipërisë

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, po shijon disa ditë pushime në jug të Shqipërisë, nga ku poston rregullisht foto dhe video në rrjetet sociale.

Fotot e fundit, të postuara një ditë më parë, si gjithmonë kanë marrë miliona pëlqime dhe mijëra komente nga fansat e shumtë të këngëtares, të cilëve ajo u ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti është thjesht “një vajzë shqiptare në Shqipëri”.

Këtë koment të fundit nuk ka rezistuar ta komentojë edhe vetë Facebook. Llogaria zyrtare e kompanisë së themeluar nga Mark Zuckerberg, ka shkruar poshtë fotove: “Mbretëresha Dua Lipa e Shqipërisë”.

Ylli i muzikës pop do të marrë pjesë javën e ardhshme në Sunny Hill Festival, aktivitet që këtë vit u nda mes Prishtinës dhe Tiranës. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Lipa ka realizuar plot 74 koncerte në të gjithë botën, ndërsa nga shtatori, rinis turet duke filluar nga Amerika Latine.