20:04 / E Premte, 31 Janar 2020

Facebook planifikon luftimin e dezinformatave në lidhje me Coronavirus

Facebook do të fillojë të heqë pretendimet e rreme dhe teoritë konspirative në lidhje me koronavirusin, duke rritur përpjekjet për të luftuar përhapjen e dezinformatave për një shpërthim viral që vrau më shumë se 200 persona.

Përhapja e virusit, i cili është shpallur një emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetit, është testi i fundit i aftësisë së rrjeteve sociale për të frenuar pretendimet e rreme dhe të rrezikshme.

Facebook përmendi pirjen e zbardhuesit si një pretendim i rrejshëm për shërim që po qarkullon, duke thënë se “do të fillojë të heqë përmbajtjen me pretendime të rrejshme ose teori konspirative që janë paralajmëruar  nga organizatat kryesore globale të shëndetit dhe autoritetet lokale shëndetësore, që mund të shkaktojnë dëm për njerëzit që besojnë në to.”

Kompania ka një politikë ekzistuese për të hequr përmbajtjen që konsiderohet një kërcënim për dëmtimin fizik të përdoruesve, dhe ka përdorur atë politikë në të kaluarën për të hequr dezinformatat e lidhura me vaksinat, megjithëse në raste të rralla.

Koronavirusi po merr vëmendje të veçantë në internet, duke i vendosur edhe një herë kompanitë e mediave sociale me qendër në SH.B.A. në mbrojtjen e përpjekjeve të tyre për të frenuar përhapjen e informacionit të rremë.

Shkencëtarët dhe gazetarët kanë dokumentuar një numër në rritje të rasteve të dezinformatave në lidhje me virusin, duke filluar nga shpjegimet raciste për origjinën e sëmundjes deri tek pretendimet e rreme për shërime mrekullibërëse.