15:34 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Fakulteti i Mjekësisë në krizë për profesorë

Pos gjendjes alarmante me mungesë të kuadrove në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike (FIEK), gjendja nuk qëndron më mirë as në Fakultetin e Mjekësisë. Mjekësia është duke u përballur me mungesë të stafit akademik që konsiston në numër të ulët të profesorëve në disa degë. Mirëpo, gjendja alarmante nuk është jo vetëm në kuptim të numrit të profesorëve për katedrat e FM-së, por edhe në kuptim të numrit të profesorëve për disa nga klinikat e QKUK-së.

Në një intervistë për Indeksonline, Fisnik Kurshumliu, Koordinator për Zhvillim Akademik në Fakultetin e Mjekësisë është shprehur se në të gjitha katedrat që nga viti 2000 ka rënie të numrit të profesorëve.

“Në pothuajse të gjitha katedrat, që kanë ekzistuar në vitin 2000, kemi rënie sinjifikante të numrit të profesorëve. Duhet cekur se “bartësit” e programeve studimore dhe të katedrave respektive janë profesorët. Rrjedhimisht, me këtë trend të rënies se numrit të profesorëve, rrezikohet ekzistenca e katedrave dhe e programeve studimore, në kohën kur ato duhet t’i nënshtrohen riakreditimit. Në fakt, si pasojë e këtij trendi negativ deri tani, edhe ashtu kemi “shkrirë” disa katedra në një katedër”, ka thënë ai.

Në vitin 2019 pritet të skadojë akreditimi i pesë programeve si Fizioterapi, Infermieri, Biomjekesi Eksperimentale dhe Shëndet Publik.

Ndërsa, sipas Kurshumliut deri në vitin 2021 pothuajse të gjitha degëve iu skadon akreditimi.

“Fakultetit të Mjekësisë, në vitin 2019 i skadon akreditimi i këtyre programeve: 1. Fizioterapi, 2. Infermieri, Biomjekësi Eksperimentale (Doktorate), Shëndet Publik (Doktorate), kurse, në vitin 2021 i skadon akreditimi për këto programe studimore: 1. Mjekësi e Përgjithshme, 2. Stomatologji, 3. Farmaci, 4. Mjekësi Paraklinike (Doktorate), Mjekësi Klinike (Doktorate), Stomatologji (Doktorate)”, ka shpjeguar detajisht ai. Ai ka treguar edhe numrin e profesorëve për secilin program dhe pensionimet e tyre. “Mungesa e stafit akademik konsiston në numrin e ulët të profesorëve për disa katedra siç janë: Gjinekologji – momentalisht 5 (të gjithë pensionohen në vitin 2019), Kirurgji – momentalisht 4 (të gjithë pensionohen deri në vitin 2021), Kirurgji maksilofaciale – momentalisht 1 (pensionohet deri në vitin 2021); Ortodonci – momentalisht 1 (pensionohet deri në vitin 2021)”, ka shtuar ai.

E arsyet e rënies së numrit të profesorëve në këtë fakultet po konsiderohet kufizimi në procesin e avancimit të stafit akademik. Sipas Kurshmeliut, rritja e numrit të profesorëve duhet të bëjë në bazë të arritshmërisë akademike e jo në bazë të normës.

“Konsiderojmë se rënia e numrit të profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë është si pasojë e kufizimeve në procesin e avancimit të stafit akademik me formulën e “normës se orëve”. Duhet cekur se stafi i FM-së gjatë të njëjtit orar të punës ushtron veprimtari profesionale-shëndetësore që është parakusht për aktivitetin mësimor-shkencor (veprimtari e integruar). Bazuar në praktikat e mira të Universiteteve Europiane, Amerikane dhe të rajonit (Shkup, Zagreb, Beograd, Ljubljanë, Tiranë), zgjedhja dhe avancimi i stafit akademik nuk kushtëzohet me “normë te orëve”. Rritja e numrit të profesorëve duhet të jetë në bazë të arritshmerisë akademike te individit dhe kriterëve të larta akademike e jo në bazë të “normës”, ka thënë ai.

Sipas tij, mungesa e stafit akademik ka implikime serioze edhe në ekzistencën e klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërsa, për këtë gjendje është deklaruar edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Ai për Indeksonline ka thënë se ka kërkuar të bëhet një grup punues profesional në mënyrë që të analizohet situata dhe të merren masat. “Unë kam kërkuar që të bëhet një grup punues profesional në mënyrë që ta bëjnë analizën e gjëndjes dhe rekomandimet për dalje nga kjo situatë. Pas marrjes së rekomandimeve ne do të bashkëveprojmë me te gjitha institucionet relevante për zgjidhje”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa, Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, për Indeksonline ka thënë se problemi në Fakultetin e Mjekësisë qëndron në atë se nuk ka vende të lira për të avancuar njerëzit në pozitën e profesorit.

“Nuk besoj se Fakulteti i Mjekësisë ka mungesë të kuadrove akademike, por mund të jetë që, për momentin, nuk ka vende të lira për t’i avancuar njerëzit në pozitën e profesorit, pasi ky fakultet dhe ai i arteve kanë më së shumti profesorë në raport me numrin e studentëve në UP. Vende për profesorë të rinj do të krijohen me pensionimin e kuadrit ekzistues dhe nuk pres të ketë ndonjë rrezik për mbylljen e ndonjë drejtimi në këtë fakultet”, ka thënë Pupovci.

Ndërsa, për programet inxhinierike thotë se më të vërtetë mungojnë kuadro akademike të kualifikuar, pasi me pensionimin e profesorëve, ato mund të mos funksionojnë.

“Një gjendje e tillë kërkon nga shteti që t’i stimulojnë të rinjtë për karrierë akademike në fushat me rëndësi strategjike për vendin, siç është fusha e energjetikës, duke ofruar edhe bursa për kryerjen e studimeve të doktoratës jashtë vendit. Po ashtu, duhet të pajtohemi me faktin se ato programe do të duhet të mbështeten për një kohë në bashkëpunëtorë të jashtëm, përfshirë edhe profesorët që janë në pension. Duhet të shqyrtohet edhe mundësia e mbylljes të ndonjë programi i cili nuk mund të mbahet, duke e orientuar kuadrin akademik ekzistues në programe të tjera të fushës përkatëse që mund të mbahen”, ka shtuar ai.

Sipas tij, janë hapur dhjetëra programe për të cilat nuk ka kuadër akademik të kualifikuar dhe se improvizimi me kuadër akademik reflektohet në cilësi, gjë për të cilën duhet t’i jep fund Agjencia e Akredimit, por edhe vet universitetet.

Ndërsa, ditë më parë Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rritet mbështetja buxhetore për UP-në.

Sipas rektorit, pa plotësimin e normës nuk mund të paguhet asnjë profesor dhe zgjidhja e këtij problemi bëhet vetëm përmes unifikimit të pagave.

Fakulteti i Mjekësisë përbëhet nga 5 Njësi Akademike si vijon: 1. Mjekësia e Përgjithshme, 2. Stomatologjia, 3. Farmacia, 4. Fizioterapia, 5. Infermieria, 5. Mamia.

Drejtimi Mami nuk ka arritur te riakreditohet gjatë vitit 2016 dhe 2017 për shkak të mungesës së stafit adekuat.

Numri aktual i profesorëve dhe asistentëve në këto pesë njësi është 247. Prej tyre 71 janë profesor kurse asistentë 176./Indeksonline/L.Thaçi/