19:58 / E Shtunë, 18 Shtator 2021 / OSH

Falja s’është e mjaftueshme për të mbijetuarit e sulmit me dron të SHBA-së në Kabul

Një ditë pasi ushtria e SHBA-së ka pranuar se një sulm me dron në kryeqytetin e Afganistanit muajin e kaluar gabimisht kishte vrarë 10 anëtarë të një familje, përfshirë shtatë fëmijë, të mbijetuarit kanë thënë se kërkimfalja e Washingonit nuk është e mjaftueshme.

Emal Ahmadi, vajza trevjeçare e të cilit u vra më 29 gusht, kur raketa ra mbi makinën e vëllait të tij të madh, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të shtunën se familja kërkon që Washingtoni të hetojë se kush e ka bërë sulmin dhe të ndëshkojë përgjegjësit.

“Nuk është e mjaftueshme për ne që të thonë se iu vjen keq. SHBA duhet të gjejë personin që e ka bërë këtë”, ka thënë Ahmadi.

Një gazetar i Al Jazeera, i cili vizitoi vendin e sulmit, tha se gjëra të fëmijëve, përfshirë lodrat e tyre, mund të shiheshin në vendin e ngjarjes.

“Anëtarët e familjes na thanë se po kërkojnë kompensim nga SHBA. Ata duan drejtësi për anëtarët e familjes së tyre dhe nëse është e mundur ata që kanë mbetur në këtë kompleks duan të largohen nga Afganistani”.