07:50 / E Mërkurë, 02 Shtator 2020 / indeksADMonline

Familja e burrit e dëbon se ishte infertile, gruaja nga Koreja e Veriut i djeg të gjithë brenda shtëpisë

Një grua në Korenë e Veriut u kërcënua me divorc pasi analizat e spitalit tregonin se nuk mund të lindte fëmijë, dhe kjo bëri që ajo t’i vinte zjarrin shtëpisë me vajguri, duke djegur brenda të gjithë familjarët e burrit.

Gruaja rreth 30 vjeçare ishte e martuar me të birin e një ministri në provincën Hamgyong në Korenë e Veriut.

Por pas pesë vjet martese ata nuk kishin lindur fëmijë dhe familjarët e burrit e konfirmuan këtë me analizat spitalore.

Kjo bëri që familjarët t’i kërkonin asaj të largohej nga shtëpia dhe të divorcohej nga djali i tyre.

Por vendimi e zemëroi gruan e cila refuzoi të largohej por e raportoi ngjarjen në komitetin vendor të partisë.

Kur zyrtarët i thanë se nuk mund të procedonin kërkesën e saj në fundjavë, ajo tentoi të udhëtonte në kryeqytetin për të denoncuar në komitetin qendror të partisë.

Por ajo nuk mundi të realizonte udhëtimin në kryeqytet pasi për këtë dukej leje e veçantë udhëtimi, raporton e përditshmja shtetërore koreane.

“Pas kthimit në shtëpinë e burrit, ajo vendosi që nuk dëshironte më të jetonte dhe i vuri zjarrin me vajguri shtëpisë kur të gjithë ishin brenda. Gruaja, burri dhe familjarët e këtij të fundit u shuan të gjithë dhe shtëpia u dogj me gjithçka kishte brenda”, tha një burim për gazetën, i cili kërkoi anonimatin prej frikës së sigurisë.

Fqinjët raportohet se kishin tentuar të fiknin zjarrin me kova uji por kjo ishte e pamundur.

Vendasit shpreheshin kritikë ndaj vendimit të familjes për të përzënë gruan prej infertilitetit.

“Autoritetet po përpiqen ta mbajnë incidentin sa më të fshehtë që munden duke e raportuar si një zjarr të zakonshëm shtëpie”, shtoi burimi.