20:36 / E Shtunë, 31 Korrik 2021 / OSH

Familja e Gucatit ankohet për mungesë vize

Gjatë korrikut kur ish krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë takuan familjarët e tyre për herë të parë fizikisht që nga arrestimi, një mundësi e tillë nuk iu dha edhe të afërmve të Hysni Gucatit.
Kjo u bë e ditur këtë të shtune në selinë e OVL-UÇK-së të cilën Gucati e udhëhoqi deri në ditën e arrestimit, 25 shtator 2020.

“Ne kemi pothuajse një vit që nuk kemi kontakt me babain tonë dhe kjo është diçka shumë diskriminuese nga ana e tyre gjoja se nuk kemi mjete të mjaftueshme financiare” deklaroi Musli Gucati, djali i tij.

Qarkullimi financiar si pengesë për pajisje me viza po shihet si pengesë e radhës edhe nga kryetari në detyrë i organizatës, Faton Klinaku. Sipas tij Holanda që tashti po vepron politikisht, nuk interesohej fort për dokumente.

“Kur u arrestuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nuk kanë pas as letërnjoftim, pse Holanda ka leju me hy në shtetin e tyre dikush që nuk ka me vete as letërnjoftim?”

Klinaku gjatë konferencës tha se familjarët e të akuzuarve nuk duhet të vendosen në një pozitë me qytetarët tjerë që udhëtojnë si turistë e se familjarët e tyre nuk shkojnë në Holandë as për të bërë biznese.
Këtë pengesë sipas krerëve të OVL-së nuk e kanë fëmijët e të akuzuarve tjerë të cilët kanë pasaporta të Shqipërisë, e disa të Suedisë.
E vizitat në qendër të paraburgimit do të jenë të domosdoshme edhe për një kohë sipas vendimeve të Speciales për të mos i liruar me kusht ndonjërin nga ta.
Në arsyetimet e gjykatës përmendet shpesh mundësia për të ndërhyrë sërish në drejtësi, për të cilën shkas janë marrë deklaratat e Faton Klinakut se po t’i jepet mundësia shpërndanë dosje sërish, ide kjo nga e cila Klinaku nuk është zmbrapsur.

“E kanë kallaj pse nuk më qojnë në burg, gojën nuk munden me ma ndal. Kjo nuk ka të bëjë me kompromis, se unë edhe nëse ndryshoj qëndrim ata prapë gjejnë arsye tjera, unë flas çka të du në studio televizive…”./klankosova/