75 Mall Live Search
16:35 / E Martë, 18 Qershor 2024 / MSH

Familja më e pasur britanike në gjyq, dyshohet për trafikim njerëzor

Katër anëtarë të familjes më të pasur të Britanisë së Madhe, janë në gjyq në Zvicër mes akuzave se kanë shpenzuar më shumë para për t’u kujdesur për qenin e tyre sesa për shërbëtorët.

Familja Hinduja, me vlerë rreth 47 miliardë dollarë, akuzohet për shfrytëzim dhe trafikim njerëzor, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.

Familja zotëron një vilë në lagjen e pasur të Gjenevës, Kolonia, dhe akuzat kundër tyre lidhen me praktikën e prurjes së shërbëtorëve nga India, për t’u kujdesur për fëmijët dhe familjen e tyre.

Pretendohet se Prakash dhe Kamal Hinduja, së bashku me djalin e tyre Ajay dhe gruan e tij Namrata, konfiskuan pasaportat e personelit, i paguanin ato deri në 8 dollarë për ditët 18-orëshe dhe u lejuan atyre pak liri të dilnin nga shtëpia.

Edhe pse një marrëveshje financiare mbi shfrytëzimin u arrit javën e kaluar, familja Hinduja vazhdon të gjykohet për trafikim, që është një vepër e rëndë penale në Zvicër.

Ata mohojnë akuzat.

Këtë javë në gjykatë, një nga prokurorët më të famshëm të Gjenevës, Yves Bertossa, krahasoi pothuajse 10,000 dollarë në vit që ai pretendonte se familja kishte shpenzuar për qenin e tyre, me shumën ditore që dyshohet se po paguanin shërbëtorët e tyre.

Avokatët e familjes Hinduja nuk i mohuan në mënyrë specifike pretendimet për paga të ulëta, por thanë se ato duhet të shihen në kontekst – duke vënë në dukje se stafi po merrte gjithashtu strehim dhe ushqim.