15:18 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Familjarët e ‘Dajës’: Ai s’ka lidhje me grabitjen në Rinas, po punohet me komunizëm

Të afërmit e 50-vjeçarit Ragip Haxhihajdini kanë qenë sot në Prokurorinë e Tiranës, në mbështetje të tij.

Avokati i klientit që dyshohet si i përfshirë në grabitjen e Rinasit thotë se Ragipi mbahet në burg vetëm në saj të deklarimeve të Bengasit.

“Prokuroria insiston se është pjesë, por në të vërtetë ky kërkon të ballafaqohet me shtetasin Bengasi për të vërtetuar të gjitha ato që ka pretenduar. Duhet thënë se i mbrojturi im mbahet në burg vetëm në sajë të disa deklarimeve të shtetasit Bengasi. E gjithë historia e tij është se ky njeh vetëm vëllain e të ndjerit, pasi kanë jetuar bashkë në Gjermani”, u shpreh avokati.

Ndërsa vëllai i Ragipit, i njohur me nofkën “Daja” shprehet: “Atë nuk e njohim, ndërsa vëllain e tij po dhe këtë nuk e mohoj. Edhe vëllai i tij është duke u mbajtur i pafajshëm në burgjet e Shqipërisë. Është arrestuar vetëm se e ka vëlla. Kjo ndodh sepse këtu dhe në Kosovë punon akoma komunizmi”.

Dëshmia e Ragip Haxhihajdinit

Kosovari i arrestuar për grabitjen në Aeroportin e Rinasit, Ragip Haxhihajdini, i njohur edhe me pseudonimin “Daja” është lënë në burg pa afat nga gjykata, ndërsa ka mohuar akuzat.

Bengasi është i penduari që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke sjellë zbërthimin e plotë të grupit kriminal. Por “Daja” ka mohuar përfshirjen në grabitje dhe ka kërkuar ballafaqim me të penduarin Alkond Bengasi.

“S’kam asnjë lidhje me grabitjen, prej vitesh jetoj në Shqipëri. Familjen Murataj e njoh prej miqësisë që kam me Aleksandër Muratajn, ndërsa nga të arrestuarit nuk njoh asnjë person. Po të doja të ikja prej një jave kam dëgjuar në lajme pseudonimin tim “Daja” nga Kosova, por s’kam asgjë për të fshehur”, do të shprehej Ragipi në dëshminë e dhënë.

Të arrestuarit

Deri tani janë arrestuar gjashtë persona për grabitjen. Përpos “Dajës” nga Kosova Ragip Haxhiajdini, janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.