Policia me aksion në Zubin Potok, konfiskohen armë dhe mbi 400 fishekë në një shtëpi të pa banuar
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake gjatë një kontrolli në një shtëpi të pa banuar në fshatin Mala Jabuka të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Policisë, më 7 qershor 2026, njësitë policore kanë pranuar informacione se në këtë objekt mund të fshiheshin armë. Pas verifikimit të informatës dhe kontrollit të lokacionit, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë automatike AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek 9×19 mm, dy granatahedhës (tromblonë) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe.
Të gjitha dëshmitë materiale janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të përfshirë janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin emergjent 192./IndeksOnline/

