17:02 / E Premte, 30 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Familjarët e viktimës në Surkish të Podujevës: Na vranë djalin më të mirë në mëhallë

Pak metra larg shtëpisë së tij në Surkish të Podujevës, rreth dy javë më parë, u vra me armë zjarri Arian Selmani, 30 vjeçar, ndërsa mbeti i plagosur rëndë daja i tij, E.S, 23 vjeçar. Vdekja e hershme e Arianit ua mbylli familjes edhe derën e shtëpisë. Sot shtëpisë dy katesh të tij i ishte vënë dryni, e në dyqanin ku punonte ndodhej një punëtor i ri. Askush nuk i di motivet e vdekjes së shitësit të veshmbathjeve, por të gjithë kanë fjalë të mira për të

Për vrasjen e rëndë nuk është arrestuar askush deri më tani, policët hetues janë në kërkim të dy personave të dyshuar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, në një bisedë për Gazetën Express thotë se rasti është duke u hetuar.

“Krejt çka mund të thuhet deri më tani është se po kërkojmë dy të dyshuar”, shprehet Beka.

“Nuk mujm me dhan asnjë detaj,  jemi në proces të hetimeve, jemi në kërkim të dy të dyshuarve. Policët hetues po merren me rastin. Çdo informacion tjetër mund t’i prishë hetimet”, tha Beka.

Në shtëpinë e Arianit nuk ndodhej askush. Edhe dy javë pas vrasjes nuk është bërë i qartë asnjë motiv për vdekjen e hershme të Arianit, ndrësa fqinjët janë të shokuar me rastin.

“Djalë ma të mirë qitu në mahall s’ka pas, kurrë s’kena ditë një të keqe prej tij, çka ka ndodhë veç Zoti e din”, tha një fqij i Arianit, njëherit kushëri i tij.

Ai çdo mëngjes shkonte në punë, punonte në një dyqan të veshmbathjeve.

“Veç e di që djalë i mirë u kon shumë, në mëngjes u dalë herët u shku në punë, folke tu kesh” vazhdon rrëfimi.

Shtoi se motivet e vrasjes nuk po i di as familja e ngushtë duke theksuar se këtë punë ia kanë lënë në dorë drejtësisë.

Mësohet se daja i Arianit, 23-vjeç, që mbeti i plagosur është lëshuar nga Spitali dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“ Po thonë që ai është mirë tash, e kanë lëshu mjekët prej spitalit”, përfundoi kushëriri.

Është provuar të flitet edhe më punëdhënësit e Arianit, por ata nuk kanë dashur të prononcohen. Një punëtor i ri tashmë po zëvendëson Arianin.

Arian Selmani u vra më 15 nëntor rreth orës 22:00 me një breshëri plumbash, në drejtim të tij. Aktualisht hetuesit policor, janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për  të identifikuar personat e dyshuar, si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë.