20:34 / E Diele, 04 Dhjetor 2022 / AR

Faruk Mujka i VV-së bëhet Kryeshef në “Ibër – Lepenc”

Ish-kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër – Lepenc”, në mbledhjen e mbajtur më 1 dhjetor të këtij viti nga Bordi i Drejtorëve.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mujka, i cili tha se detyrën do ta nis qysh nga nesër, por në vendim thuhet se ai do ta nis detyrën nga data 6 dhjetor.

Mujka, ndërmarrjen “Ibër – Lepenc” e cilësoi si tepër të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Vend ideal për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve”.

“Falemnderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata që më kanë besuar, përkrahur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve nga sfida në sfidë”, ka shkruar Mujka.

Kujtojmë se Mujka lajmin për dorëheqje nga pozita e kryetarit të VV-së në Mitrovicë e kishte bërë të ditur vetë, duke thënë se “kam dhënë dorëheqje nga të qenurit kryetar, por asnjëherë nga të qenurit aktivist”.

Faruk Mujka, përveç që ishte kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, ai ishte edhe nënkryetar i kësaj komune gjatë mandatit të dytë, ku në krye ishte Agim Bahtiri.