17:43 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

Fati i kombit në duart e një skizofreni – trajtim i detyrueshëm psikiatrik për Murat Jasharin (Foto)

I akuzuari për përgatitje të sulmit terrorist, Murat Jashari, është konstatuar se vuan nga çrregullime skizoafektiv-tipi maniak. Gjykata Supreme ka marrë vendim që atij t’i vazhdohet paraburgimi edhe përkundër kërkesës së avokates që ai të trajtohet në shtetin zviceran ose në institutin e Psikiatrisë në Prishtinë.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që rasti i Murat Jasharit i akuzuar për veprën penale, përgatitje e veprave terroriste t’ia kthejë shkallës së parë për rivendosje.

Gjykata Supreme i ka dërguar, Gjykatës Themelore, raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, mbi gjendjen e shëndetit mendor të Murat Jasharit, rreth konkludimit se Jashari vuan nga çrregullime skizoafektiv-tipi maniak me shifrë F 25.0 (ICD 10).

Në vendimin e Supremes thuhet se “ky çrregullim ka karakter të përhershëm, me psikosimptomatologji të shkallës mesatare në të rëndë. Bazuar në të dhënat e lartcekura i ekzaminuari në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta”, shkruan Insajderi.

Avokatja e Murat Jasharit ka kërkuar që klientit të saj t’i mundësohet trajtim psikiatrik në shtetin e Zvicrës, afër familjes së tij, pasi këtë e kanë rekomanduar ekspertët e psikiatrisë, ose eventualisht në Institutin e Forenzikës Psikiatrik në Prishtinë.

“I pandehurit mbetet në paraburgim, konform dispozitave ligjore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë ditës së djeshme ka ngritur aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtar të organizatës kriminale, “Syri i Populli”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustemi”, ku pjesë e këtyre të akuzuarve është edhe Murat Jashari.

Murat Jashari e kishte plagosur avokatin Azem Vllasi duke e konsideruar si tradhtar të vendit.