21:53 / E Mërkurë, 11 Tetor 2017 / indeksADMonline

Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi në dhjetor

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka deklaruar sot se Beogradi e Prishtina po punojnë për caktimin e përmbajtjes së “fazës së re të dialogut” për në dhjetor dhe ka theksuar se “kërcim cilësor” në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve pret gjatë vitit të ardhshëm.

Mogherini ka thënë kështu gjatë konferencës së shtypit bashkë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila po ashtu ka theksuar, siç njofton agjencia serbe lajmeve Beta, se tashmë është arritur marrëveshja që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve të Serbisë e të Kosovës.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ajo është përgjigjur se është në shërbim të qytetarëve serbë, dhe nëse kjo kërkohet për interesin e tyre, do të takohet.

Megjithatë, në Kosovë ende nuk e ka autorizuar askush presidentin Hashim Thaçi që të dialogoi me Serbinë, ndonëse ai, veç ka filluar ta luaj këtë rol, shkruan AktivPress.

Partitë opozitare por edhe njohës të zhvillimeve politike e juridike e shohin këtë veprim të Thaçit, si antikushtetues, meqë Kuvendi e ka autorizuar Qeverinë që të zhvilloj bisedime në Bruksel.