22:51 / E Hënë, 29 Maj 2023 / C E

FC Ferizaj reagon pas skandalit të djeshëm: Pastërtia jonë nuk mund të njolloset

FC Ferizaj ka reaguar pas ndeshjes së djeshme, kundër Dukagjinit, në të cilën regjistroi fitore me rezultatin 2:1 dhe siguroi barazhin, nga ku pastaj do ta kërkojë edhe qëndrimin në Superligën e Kosovës për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, ndeshja në fjalë u përcoll me polemika të shumta, sidomos pas golit të dytë dhe të fitores, ku u pa një reagim tejet i dobët nga portieri i klinasve.

Për këtë ndeshje është bërë e ditur se kanë nisur hetimet nga organet kompetente.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe klubi i Ferizajt. Ky klub është shprehur i gatshëm të përballet në secilën instancë që ftohet, pasi besojnë që janë të pastër.

Reagimi i plotë nga FC Ferizaj:

“FC Ferizaj me vëmendje dhe shqetësim ka përcjellur zhvillimet e mbrëmshme dhe ato të ditës së sotme, ku na është lakuar emri si klub, shkas ndeshja e djeshme kundër KF Dukagjinit.

Për opinionin sportiv, për dashamirët e futbollit, forma se si është trajtuar kjo temë, vetëm se ka krijuar paqartësi edhe më shumë.

FC Ferizaj, është e gatshme të përballet në secilën instancë që ftohet. Ne nuk kemi pse të fshihemi, jemi për drejtësi, fair-play e mbi të gjitha e konsiderojmë jetike faktin që e vërteta duhet të dalë në dritë.

Ne jemi të pastërt, ashtu siç është djersa e mundi i lojtarëve tonë, që kanë punuar e luftuar shumë në sezonin pranverorë.

Edhe një herë ftojmë organet përgjegjëse brenda Federatës së Futbollit që të merren me rastin. Pastërtia jonë nuk mund të njolloset.

Sikur të ishte ndryshe, FC Ferizaj çështjen e mbijetesës do ta zgjidhte qysh moti. Sikur të ishte ndryshe, nuk do vinte puna që xhiroja e fundit të përcaktonte të ardhmen tonë.

Por ne nuk dijmë ndryshe. Ne besojmë fuqishëm në vlerat sportive, avokojmë për meritokraci. Kemi humbur ndeshje, kemi uruar kundërshtarët. Nuk jemi ankuar asnjëherë në referim.

Kemi vendosur standard të ri në Superligën e Futbollit në Kosovë. Pas çdo humbje, gishtin e kemi drejtuar nga vetja. Kemi punuar shumë që të mbërrijmë këtu ku jemi.

Ne jemi të gatshëm të dëshmojmë para secilit se djersa e lojtarëve tonë është investimi për të cilin krenohemi si klub e si qytet.

Mos të harrojmë, të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë na pret një ndeshje e madhe. Shkojmë të bindur për fitore!

Superliga e Kosovës do jetë e varfër çdo herë pa FC Ferizajn.

Me respekt, Bordi Drejtues i FC Ferizaj”.