19:34 / E Premte, 15 Shtator 2023 / Gj. Sh

FC Prishtina i reagon FFK-së për ndeshjen me Lirinë

Klubi futbollistik Prishtina i ka reaguar Federatës së Futbollit të Kosovës, në lidhje me ndeshjen kundër Lirisë.

Klubi nga kryeqytiti ditën e sotme ka njoftuar se ndeshja do të zhvillohet ditën e diel në stadiumin “Fadil Vokrri”, por që më pas Komisioni i garave i FFK-së, ka dal me një njoftim ku thuhet se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin te kampi nacional në Hajvali, shkruan IndeksOnline.

Ndërsa tani FC Prishtina përmes një reagimi ka thënë se ata nuk kanë kërkuar që ko ndeshje të zhvillohet në kampin nacional në Hajvali, ashtu siç thuhej në njoftimin e Komisionit të Garave nga FFK.

Reagimi i plotë:

Për opinionin publik, Federata e Futbollit të Kosovës (Kryetari i Komisionit të Garave), kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, Ministrin e MKRS-së, z. Hajrullah Çeku,

Të nderuar,

Ju drejtohemi për të diskutuar komunikimet dhe vendimet e FFK-së në lidhje me caktimin e fushës për ndeshjen që do të zhvillohet, mes FC Prishtina dhe KF Liria.

Më datën 08/08/2023, FC Prishtina, me kërkesën e saj ka pranuar që dy ndeshjet e para të skuadër vendase t’i zhvillojë në kampin nacional Hajvalia. Këtë vendim e kemi marr për shkak të dy arsyeve:

1. Ndeshjes së Reprezentacionit të Kosovës kundër atij të Zvicrës, si dhe;

2. Kushteve atmosferike të periudhës kohore në fjalë.

Ju tashmë jeni të njohur me faktin që FC Prishtina nuk ka mundësi për të zhvilluar ndeshje jashtë stadiumit të saj, i cili aktualisht është stadiumi më i mirë në Republikën e Kosovës.

Megjithatë, në emailin e referuar të datës 14/09/2023, FFK i referohet një kërkese të FC Prishtina për të zhvilluar ndeshjen kundër KF Liria në kampin nacional Hajvalia. Për të qartësuar si FFK-në dhe po ashtu opinionin e gjerë, duam të theksojmë se FC Prishtina nuk ka bërë asnjëherë një kërkesë të tillë, dhe jemi plotësisht të habitur e të shqetësuar nga komunikimi i fundit i Komisionit të Garave me FC Prishtinën e që bazohet në kërkësë fiktive.

Mbesim me shpresën se kjo është veçse lëshim jo dashakeq e jo tendencioz nga ana e Komisionit.

Në përputhje me rregulloren e garave, FC Prishtina ka njoftuar vendndodhjen e ndeshjes dhe ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet për të siguruar zhvillimin e ndeshjes në përputhje me Nenin 24 të propozicioneve të garave të FFK për sezonin 2023/2024.

Megjithëse ne e kemi njoftuar stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja, stadiumi “Fadil Vokrri”, dhe kemi ndërmarrë të gjitha përgatitjet për këtë ngjarje, dhe në emailin e datës 14/09/2023, pas orës së mesditës, megjithatë kërkoni që ekipi mysafir dhe zyrtarët të paraqiten në kampin nacional Hajvalia dhe jo në Stadiumin “Fadil Vokrri”, ku është paraparë që ndeshja të zhvillohet.

Ky vendim urdhërues është në kundërshtim me nenin V të rregullores, i titulluar “CAKTIMI I FUSHËS DHE FILLIMI I NDESHJES”. Në përputhje me këtë nen, FFK është përgjegjës për caktimin e orarit të ndeshjeve dhe jo për përcaktimin e fushës ku skuadra pritëse do të zhvillojë ndeshjet. Ju rikujtojmë se procesi i përcaktimit të fushave për ndeshje fillon dhe mbaron në të njëjtin proces me regjistrimin dhe licencimin e klubeve për të garuar në Superligën e Kosovës.

Duke marrë parasysh atë që është shpjeguar më lart, kërkojmë që të FFK të dërgoj sa më parë udhëzimet e sakta për zyrtarët tuaj në lidhje me vendndodhjen e ndeshjes, duke mundësuar dhe facilituar kështu mbarëvajtjen e proceseve në Superligën e Kosovës.

FC Prishtina, po ashtu ka informuar ekipin mysafir, KF Liria.

Me qëllim të shmangies së mëtutjeshme të problemeve zëngjirore që një gabim i tillë mund të prodhojë si dhe për të krijuar kushte për mbarëvajtjen e punës në Superligë, i lutemi FFK-së të korrigjoj këtë gabim dhe të siguroj zhvillimin e një ngjarjeje sportive të suksesshme në prani të banorëve të Prishtinës, e që janë tifozët tanët./IndeksOnline/