19:40 / E Shtunë, 07 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Federata e Volejbollit aspak korrekte, nuk publikon fare orarin për ndeshjet e kësaj jave

Këtë fundjavë luhet xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në volejboll.

E edhe pse kjo javë është e veqantë dhe është vendimtarja për rangimin e klubeve për një stinor, Federata e Volejbollit nuk ka dhënë asnjë njoftim për orarin e kësaj jave.

Dorëzimi i orareve nga klubet nikoqire bëhet më së largu ditën e mërkurë, ndërsa tash tri ditë më vonë nuk ka asnjë njoftim.

Indeksonline ka siguruar dy dokumentet e orareve, njëri që iu është dërguar klubeve e tjetri për orarin e referëve të caktuar në ndeshjet e kësaj jave.

Siç shihet në konkurencën e meshkujve vetëm një ndeshje është e caktuar me orar të saktë, ndërsa katër të tjerat nuk kanë as ditë e as orë se kur do të mbahen.

Në dokumentin tjetër të orarit të referëve dihet orari i saktë i ndeshjeve, orar që është i panjohur për disa klube edhe pse sot është e shtunë dhe ndeshjet zhvillohen sot dhe nesër.

As në webfaqen e Federatës e as në llogarinë e tyre në Facebook nuk kanë publikuar orarin, ndërsa përditësimi i fundit në webfaqe për ndeshjet është bërë para një jave.

Indeksonline u dërgoi pyetje Federatës së Volejbollit, por nuk mori përgjigje. Përgjigje nuk morëm as në numrin e tyre kontaktues e që doli të ishte pa çasje në rrjet.