22:28 / E Diele, 15 Gusht 2021 / C E

Federer drejt përfundimit të karrierës, i duhet intervenimi në gju

Tenisti Roger Federer, do të mungojë në US Open dhe do të mbetet jashtë fushës me muaj, pasi duhet t’i nënshtrohet operimit të tretë në gjurin e djathtë. Kjo procedurë, sipas tenistit zviceran, e lë atë me pak shpresë për kthim në gara.

Federeri e ka bërë të ditur këtë të diel përmes një mesazhi në Instagram.

“Kam bërë shumë kontrollime mjekësore të gjurit tim, duke marrë informata pasi e lëndova veten gjatë sezonit në fushën në bar dhe në Wimbledon”, ka thënë Federer.

“Fatkeqësisht, ata më thanë se që të ndihem më mirë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, do të më duhet ndërhyrja kirurgjike. Kështu që vendosa t’i nënshtrohem operimit. Unë do të jem me paterica për shumë javë dhe pastaj do të jem jashtë lojës për shumë muaj”.

Federer 40-vjeçar, që ka 20 Grand Slam turne të fituar, ka pranuar se karriera e tij sportive mund të ketë përfunduar. Por, Federeri ka thënë se do të rehabilitojë gjurin me synim për një kthim tjetër në tenis.

“Dua të jem i shëndetshëm. Dua të vrapoj sërish më vonë dhe dua t’i jap vetes pak shpresë për t’u kthyer në formë”, ka thënë Federeri. “Jam realist, mos më kuptoni gabim. E di se sa e vështirë është në këtë moshë të bësh një ndërhyrje tjetër dhe të provosh të kthehesh”.

Federeri ka munguar më shumë se një vit pas operimit të parë, në shkurt të vitit 2020. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje në qershor të atij viti.

U kthye në French Open në fund të majit. Së fundi ka luajtur në çerekfinale të Wimbledonit muajin e kaluar. Ai e përmendi lëndimin e gjurit si arsye për tërheqje nga Lojërat Olimpike të Tokios.

Grand Slami i fundit i vitit, US Open, fillon më 30 gusht në New York.

Federer ka fituar 16 prej Grand Slameve të tij në mes të vitit 2003 dhe 2010, por ka qëndruar në majë të sportit në të 30-tat e tij. Ai ka fituar Australian Openin dhe Wimbledonin në vitin 2017, ndërsa e mbrojti titullin në Melburn në vitin 2018.