16:50 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Fehmi Ajvazi publikon librin “Figura e Adem Jasharit”

Shkrimtari dhe publicisti Fehmi Ajvazi ka publikuar librin e tij që i kushtohet Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Ai e ka titulluar këtë libër “Figura e Adem Jasharit” dhe botimi i tij ka ardhur në përvjetorin e 20 të Epopesë së UÇK-së.

Autori Ajvazi ka thënë se ky libër, rreth 350 faqësh, është me karakter hulumtues – studiues, që përfshin çështje fundamentale që lidhen me figurën e njërit prej heronjëve më legjendar të popullit tonë.

“Libri ndërtohet dhe sinkronizohet me të dhëna historike dokumentare, me dëshmi krahasuese, si dhe me metodologji të ndryshme përmes të cilave, shpaloset me hollësi profili i natyrshëm dhe i mbinatyrshëm i figurës së Adem Jasharit. Po ashtu, libri, shoqërohet fillim e fund me material përmbajtjesorë: fakte, të dhëna, përshkrime, citime dhe referenca të ndryshme të zgjedhura, e të tjera”, ka thënë Ajvazi.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Lena Graphic Design” dhe është përgatitur për botim nën përkujdesjen e recensentëve: Dr. Sulejman Abazi, profesor i Psikologjisë, Dr. Bujar Dugolli, profesor i Historisë, dhe Dr. Sevdail Demiri, historian i gazetarisë./Indeksonline/