08:24 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Fejzullahu: Po punojmë që të rrisim vetëdijen për planifikim familjar

Koalicioni K10 sot organizon diskutimin e hapur me temën “Planifikimi Familjar” në Qendrën Studentore në Prishtinë.

Kaltrina Fejzullahu nga Koalicioni K10, tha se diskutimi mbi Planifikimin familjar ka për qëllim të ngritë aftësitë e të rinjve dhe të rejave për të marrë vendime të përgjegjshme për jetën e tyre.

Sipas saj ky diskutim po ashtu do të nxisë debatin rreth rëndësisë së familjes, mirëqenies dhe krijimit të familjes së re tek të rinjtë, si dhe kujdesin shëndetësor.

“Ne kemi qëllim të rrisim vetëdijen për të bërë planifikim familjar”, tha ajo në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.

Ndryshe Koalicioni i përbërë nga 10 organizata partnere, të cilat punojnë bashkë për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, përkrahet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shëndet dhe të Drejtat Riprodhuese (UNFPA), United Nations Population Fund Kosovo, zyra në Kosovë.