09:09 / E Diele, 04 Qershor 2023 / Gj. Sh

Ferizaji dhe Liria sot kërkojnë Superligën

Sot zhvillohet ndeshja e barazhit, ku do të përcaktohet skuadra e fundit e cila do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës për sezonin e ardhshëm.

Ferizaji do të përballet me skuadrën e Lirisë, ndeshje kjo e cila zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, shkruan IndeksOnline.

Prizrenasit pasi fituan ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë duke e mposhtur Ulpianën, sot do të kërkojnë fitoren e cila do ti mundësonte rikthimin në Superligë.

Në anën tjetër skuadra e Ferizajit arriti ti shpëtoj rënies në Ligën e Parë vetëm në ndeshjen e fundit, pasi fitoi ndaj Dukagjinit me rezultat 2-1, duke shënuar në fund të takimit, fitore kjo e cila morri vëmendjen e opinionit, pasi dyshohet për kurdisje të mundshme.

Se cila skuadër do të jetë pjesë e Superligës për sezonin e ardhshëm do të mësohet në ndeshjen e cila fillon në ora 15:00./IndeksOnline/