19:04 / E Shtunë, 17 Gusht 2019 / indeksADMonline

Feronikeli e Llapi nuk gabojnë në javën e parë, Prishtina ndalet me barazim nga Flamurtari

Dy derbi lokal e karakterizuan javën e parë të sezonit të ri në Superligën e Kosovës.

Feronikeli pati përballë Drenicën ndërsa Prishtina Flamurtarin.

Kampionët në fuqi, Feronikeli treguan qysh në start pse janë kampionë të Kosovës në futboll duke mposhtur Drenicën me rezultat 4:1, shkruan Indeksonline.

Kastriot Rexha kaloi kampionët në epërsi në minutën e 40 ndërsa në të 54-tën Carioca e dyfishoi atë.

Rexha doli prapë në skenë duke realizuar në minutën e 67-të.

Drenica arriti të ngushtonte epërsinë në minutën e 81-të me anë të Prokshit, por Feronikeli iu kundërpërgjigj pas 6 minutave me anë të Besmir Bojkut për epilogun përfundimtar.

Llapi arriti të rikthente rezultatin në favor të vetin pasi ishte duke pësuar 0:1. Llapjanit treguan forcën e tyre dhe fituan ndeshjen me rezultat 4:1.

Vushtrria kaloi në epërsi nëpërmjet Raboshtas në minutën e 15-të.

Llapi u këndell në pjesën e dytë ku shënoi plot tri herë me anë të Zabërgjës në minutën e 65-të. Enis Zabërgja u përkujdes edhe për golin e dytë në minutën e 80-të ndërsa llapjanët arritën ta shënojnë golin e tretë tre minuta para fundit dhe të 4-tin në minutën e parë të lojës shtesë.

Ndërsa nënkampioni, Prishtina arriti të nxjerrë vetëm një barazim 1:1 në përballje me Flamurtarin.

Flamurtari ishin ata që kaluan në epërsi në minutën e 2-të me anë të Bruqit, ndërsa në minutën e 14 Prishtina barazoi përmes Jonuzit e që ishte edhe epilogu përfundimtar./Indeksonline/