13:51 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Feronikeli njofton largimin e Kastriot Rexhës, sulmuesi thotë se nuk di asgjë akoma

Feronikeli po mendon që të nisë një epokë të re me në krye trajnerin e mirënjohur, Agim Sopi që mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Vukiçeviqit.

Skuadra nga Drenasi ka liruar shtatë futbollistë midis tyre edhe sulmuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Kastriot Rexha.

Zëdhënësi i skuadrës, Erlind Krasniqi, ka thënë për Indeksonlinen: “Nikli” ka liruar shtatë futbollist për t’u lënë hapësirë transferimeve të reja.

Kastriot Rexhës, Astrit Fazliut, Albutrint Morinës, Lulëzim Doshlakut, Haxhi Nezirajt, Milosh Krkotiqit dhe Arbër Prekazit u kemi treguar se më nuk janë pjesë e planeve të skuadrës dhe gjatë janarit duhet të gjejnë një skuadër të re pasi që nuk do të kenë minutazh të mjaftueshëm në skuadrën e parë“, ka thënë zëdhënësi i Kampionit në fuqi.

Por golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Kastriot Rexha thotë se nuk di asgjë për këtë dhe se nuk ka marrë asnjë njoftim nga skuadra.

Unë ende nuk di asgjë, nuk më ka thënë askush se do të largohem, unë kam ende kontratë me skuadrën e Feronikelit“, ka thënë për Indeksonline sulmuesi shtatlart, Kastriot Rexha.

Feronikeli në sezonin e kaluar ishte kampion me lojtarët aktualë që ka, por këtë sezon gjendet në vendin e pestë me 27 pikë, shtatë më pak se kryesuesi i tabelës, Ballkani.

Gjërat te skuadra e “Niklit” kanë ndryshuar kur në krye të skuadrës erdhi Agim Sopi dhe Albert Bunjaki.  /IndeksOnline/