15:21 / E Shtunë, 10 Mars 2018 / indeksADMonline

Feronikeli triumfon ndaj Drenicës

Feronikeli ka arritur ta fitojë derbin drenicas duke mposhtur Drenicën me rezultat minimal 1-0.

Feronikeli në këtë sfidë vinte pas humbjes në udhëtim te Liria 1-0 ndërsa Drenica pas fitores me po të njëjtin rezultat ndaj Gjilanit.

Ndeshja nisi më mirë për mysafirët të cilët qysh në minutën e tretë patën rast të mirë shënimi.

Ishte shënuesi më i mirë në Superligë, Genc Hamiti që kaloi edhe portierin vendas por që nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Rastin më të mirë vendasit e patën në minutën e nëntë kur Granit Arifaj goditi për mrekulli por priti me vështirësi portieri Neziri.

Topi u kthye deri tek Yll Hoxha që tentoi me një goditje të fuqishme por qëlloi vetëm shtyllën.

Yll Hoxha kishte rast të mirë shënimi edhe në minutën e 15-të kur pas harkimit të Konës për pak sa nuk shënoi.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit të cilët rrezikonin edhe më shumë.

Raste të mira shënimi kishin Yll Hoxha me të filluar pjesa e dytë dhe Dabiqaj në minutën e 70 por pa sukses.

Ish-kampionët e Kosovës golin e epërsisë e arritën në minutën e 77’.

Ishte mesfushori Albutrint Morina i cili shënoi me një goditje të fortë për 1-0.

Fitorja e sotme e ngritë Feronikelin përkohësisht në pozitën e tretë në tabelë me 34 pikë të tubuara pas 22 javëve.

Ndërkohë Drenica mbetet në pozitën e shtatë në tabelë me një pikë më pak se rivali rajonal.