12:57 / E Enjte, 28 Janar 2021 / C E

“Ferrari dështoi totalisht, një skuadër e çorganizuar”

Ish-presidenti i “Ferrarit”, Luca di Montezemolo, ka folur me tone të ashpra për sezonin 2020 të “kokëkuqes”.

“Në të shkuarën edhe të renditeshim në vendin e tretë e konsideronim një zhgënjim. Ndërsa vendi i gjashtë është një dështim. Makina “Ferrari” e vitit të kaluar ka dështuar në çdo drejtim”, tha Montezemolo.

“Në fundin e viteve ’90-të morëm vendim për të sjellë te “Ferrari” më të mirët në të gjitha fushat dhe sollëm Jean Todt, Ross Brawn dhe Michael Schuamcher. Këtë gjë duhet të bëjnë edhe tani, të sjellin më të mirët në qarkullim. Kjo tregon se skuadra nuk është e organizuar ashtu si duhet dhe kjo gjë nuk ndryshon me një vit”, tha Montezemolo.

“Sot “Ferrari”, ka vetëm një person që është përgjegjës për gjithçka. Shpresoj që t’i sjellin dikë për ta ndihmuar”, tha Montezemolo, që duke folur për Mick Schumacherin, shtoi: “Vetëm emri që ka mbi shpinë nuk mjafton. Unë shpresoj që Michaeli të ketë mundësi dhe ta shohë suksesin e djalit të tij”.