14:30 / E Mërkurë, 18 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ferrari mendon trefishimin e pagës së Leclercit, pas 2 fitoreve në Formula 1

Charles Lecler, është padyshim piloti më premtues i Formula 1. 21-vjeçari i Ferrarit ka treguar se është mjaft ambicioz dhe objektivi është i qartë, të shpallet kampion bote me Ferrarin.

Edhe pse është vetëm në vitin e parë me kokëkuqen, ai ka arritur që në pak gara të lërë shenjën tij, duke lënë në hije katër herë kampionin e botës, Sebastian Vettel. Gjermani duket në krizë dhe nuk po jep më të mirën.

Dy fitoret e arritura në Belgjikë dhe në Itali kanë bindur drejtuesit e Ferrarit për t’ia rinovuar kontratën pilotit monogask  Leclerc.

Aktualisht, 21-vjeçari përfiton 2 milionë euro në sezon, por nga viti 2020 paga do të shkojë 3 milionë euro në sezon. Ideja e “kokëkuqes” është që ta trefishojë këtë shumë, duke e çuar rrogën e pilotit në 9 milionë euro në sezon, duke zgjatur kontratën deri në vitin 2024.

Ky rinovim mund të zyrtarizohet në garën e fundit të sezonit, në Abu Dabi.