16:46 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Festa e zbehtë brenda shtëpisë së pleqve (Video)

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë festën e Vitit të Ri e kanë pritur 63 të moshuar të cilëve u mungon përkujdesja familjare. Ka vite që shumë prej tyre jetojnë në këtë shtëpi por sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Raze Aliqkaj vazhdimisht ka lëvizje të të moshuarve.

“Institucioni jonë është institucion me karakter social, mbështetemi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Për momentin i kemi 63 klient por numri varion sepse mund të kemi zhvendosje të klientëve apo vdekje të tyre”, u shpreh Aliqkaj.

Drejtuesja e këtij institucioni tha se ka prej tyre që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore për këtë arsye stafi mjekësor është në dispozicion të tyre 24 orë në ditë duke u ofruar kujdesin e mjaftueshëm.

“Vet mosha e tyre e ndikon edhe gjendjen te shumica, jo shumë të mirë shëndetësore por ne i kemi të gjitha shërbimet 24 orëshe në institucionin tonë dhe në kuadër të këtyre shërbimeve kemi edhe shërbimin shëndetësor i cili bënë përkujdesjen e rezidentëve në aspektin e shëndetit” , tha Aliqkaj.

U theksua se shumë shpesh edhe gjendja e tyre emocionale nuk është aq e mirë por i gjithë stafi mundohet që tu mbushin boshllëkun emocional që ata kanë sidomos me mungesën e familjes dhe shpesh fëmijëve biologjik.

“Me vet faktin që këta njerëz nuk kanë pasur një familje të mirëfilltë dhe nuk e kanë përjetuar ngrohtësinë e të qenit në një familje, e cila është baza e zhvillimit të karakterit dhe personalitetit të çdo njeriu, atëherë normal që ju kanë munguar fëmijët dhe mungesat që i kanë pas në moshën më të hershme tash normal që manifestohen edhe me zbrazësi emocionale. Ne mundohemi që t’ua lehtësojmë dhe të mbushim këtë boshllëk emocional”.

Gjatë vizitës së “Indeksonline” në këtë qendër, të moshuarit nuk ankoheshin për kushtet dhe shiheshin shumë të afërt me stafin.

Sipas, Alie Ashikut e cila jeton tash e 11 vite në këtë qendër kushtet për jetesë janë të mira madje ajo shpjegon edhe se si stafi kujdeset për të moshuarit e sëmurë.

“Mirë i kemi kushtet, ndërtesa është për njerëzit e sëmurë dhe për njerëzit e moshuar, këtu ka njerëz që kujdesen nëse ka nevojë por ju pe shihni që unë nuk kam nevojë për askënd por këtu ka kujdes, kemi mjek, kemi këtu edhe motrat kur ka nevojë dikush për barna, me i dërgu te mjeku”,  tha ajo.

Kurse sa i përket festave ajo shprehet shumë e ngazëllyer duke pritur me padurim dhurata të cilat vinë çdo vit në adresën e kësaj qendre, madje sipas saj edhe dhurata të “mëdha”.

“Jam tu jetuar qe 11 vite këtu, 28 dhjetor vinë ministria apo dikush i deleguar prej ministrisë i cili shpërndan dhurata të bukura. Kur njeriu po i mbushka disa vite po pritka edhe dhurata, ata na sjellin shumë gjana të mira dhe të vlefshme. Po e ceku se ishte një gjë ma e madhe sesa dhuratat tjera, por edhe ato shumë të mira i kanë pru. Vinë na japin dhurata, vinë mysafir shumë shpesh, mysafir prej qyteti, organizata të ndryshme na vizitojnë”.

Ajo tha se stafi natën e ndërrimit të moteve kthehen në shtëpitë e veta kurse të moshuarit, Vitin e Ri e presin në dhomat e tyre apo eventualisht te ndonjë i afërt.

“Natën e vitit të ri nuk mblidhemi sepse stafi shkojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk mundemi pa ta. Ndoshta kanë dëshirë stafi me qëndru por nuk mundemi se edhe ata kanë familje dhe shtëpitë e veta por ne shkojmë nëpër dhoma e unë shkoj të këta nipërit që i kam. Edhe dikush kënd të vinë me marrë shkojnë për festa te anëtaret e familjes se dihet secili bashkohet me njeriun e vet”, përfundoi Alie Ashiku.

Por i moshuari, Idriz Idrizi i cili në këtë institucion jeton së bashku me bashkëshorten e tij të komunitetit serb,  nuk është i kënaqur me kuzhinën dhe ngrohjen në këtë institucion e cila kishte munguar për pak ditë.

“Një kohë të shkurtë nuk kemi pas të nxehtë bash bollëk por ka ardh. Janë disa probleme të vogla po na nuk po ja u vënojmë veshin fort.  Përafërsisht mirë po kalojmë, shiko nuk bon njeri me lyp shumë se me lyp shumë jet pa hiq, kështu kom dëgju unë. Duhet njeri me marr qata që na ka dhënë perëndia, na ka pru këtu. Kuzhina nuk është bash qysh duhet me qenë ama çka me bo diçka duhet me hanger”, tha ai.

Kurse ndër banoret më të reja në këtë institucion është Nefise Batatina e cila vjen nga komuna e Fushë Kosovës. Ajo tha se kjo është festa e parë që e pret në Shtëpinë e të moshuarave kurse këtu është zhvendosur para tre muajsh.

“I kom do kushëri se vëllezër nuk kom, veç të parët kushëri, të dyte e të tretë, që më kanë majtë prej që më ka vdekur burri.  E ai kushërini patë me martu djalin e unë ju kom thanë si te martoni ta liroj dhomën se nuk patën”, tregon me dhimbje Nefisja, si duket shumë e mërzitur që është ndarë nga farefisi i saj.

Ajo përfundoi duke thënë se të gjithë po sillen shumë mirë me të dhe e kanë mirëpritur kurse ajo shpreh edhe ankesën për ushqimin dhe gjendjen e saj shëndetësore sidomos me sytë.

“Tani kësmet erdha qetu, ushqimi ndonjëherë po më pëlqen ndonjëherë jo veç çka me bo tash. Kom punu boll po mu kanë dëmtu sytë, e bleva 10 euro e 50 cent do pika për sy se po kam dhimbje”,  rrëfen Nefise Batatina.

Ndryshe, edhe ambienti i kësaj shtëpie ishte dekoruar për festat e fundvitit kurse në sallat më të mëdha ishin vendosur edhe pemë Krishtlindjesh dhe gjithashtu detaje që i karakterizojnë këto festa./Indeksonline/