20:21 / E Shtunë, 08 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Deri në nëntor në Kosovë kanë hyrë mbi 23 mijë € mjete piroteknike

Festat e fundvitit po afrohen dhe qytetarët po përgatiten që këto festa t’i kalojnë sa më mirë. Sigurisht, kur janë në pyetje festa të tilla, kosovarët mundohen t’i bëjnë konkurrencë vendeve të tjera të zhvilluara me mjete piroteknike.

Mirëpo, përdorimi dhe importimi i tyre ka shënuar rënie vitet e fundit. Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci në një përgjigje për “Indeksonline” ka treguar të dhënat komerciale lidhur me importin e mjeteve piroteknike.

Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit sasia e importuar e këtyre mjeteve është dukshëm më e ulët.

Sasia e importuar e mjeteve piroteknike në vitin 2017 ishte 44 mijë e 977 kilogram.

Ndërsa, për këtë vit, sasia e importuar e këtyre mjeteve është 13 mijë e 723 kg.

Sipas këtyre të dhënave, nga 1 janari 2017 deri me 27 nëntor të këtij viti, në pikat kufitare të Kosovës kanë hyrë total 58 mijë e 700 kg sasi e këtyre mjeteve piroteknike.

Kurse, mbi 86 mijë euro është shuma që Dogana ka fituar nga importi i këtyre mjeteve.

Shih tabelën:

Këtë vit, shitja e tyre do të bëhet nga data 19 dhjetor deri me datë 31 dhjetor, ndërsa përdorimi i tyre lejohet vetëm nga 26 dhjetori e deri me 2 janar.

Në një përgjigje për Indeksonline, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë bërë të ditur se për këtë interval kohor nuk nevojitet leja për përdorim.

Ndërsa, pjesën tjetër të vitit, për shitje dhe përdorim, duhet të merret leja nga MPB apo Policia e Kosovës.

“Nga data 19 dhjetor deri me datë 31 dhjetor lejohet shitja e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike pa pasur nevojë për pajisje me leje nga MPB, ndërsa përdorimi i tyre lejohet nga data 26 dhjetor deri me 2 janar (as për ketë interval kohor nuk nevojitet leja për përdorim). Gjatë pjesës tjetër të vitit për shitje dhe përdorim të fishekzjarrëve paraprakisht duhet të merret leja nga MPB apo Policia e Kosovës (për personat fizik)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, ata kanë shtuar se janë pesë inspektor nacional që mbikëqyrin plasimin e fishekzjarrëve në tregun e Kosovës. “Nga MPB janë 5 inspektor Nacional të cilët bëjnë mbikëqyrjen e plasimit të fishekzjarrëve në tregun e Kosovës”, kanë theksuar në përgjigje.

Fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike që hynë në Kosovë, kanë origjinë nga Kina. Sipas disa të dhënave nga dogana, këto mjete piroteknike kanë prejardhje nga Kina.

Shih tabelën:

Ndërsa, Policia e Kosovës, për çdo vit përkujdeset që të ndërmarrë veprime për çdo incident që mund të ndodhë gjatë kësaj periudhe kohore. Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar në QKUK ishin paraqitur numër i madh i qytetarëve si shkak i përdorimit të mjeteve piroteknike./Indeksonline/