11:27 / E Mërkurë, 29 Maj 2019 / indeksADMonline

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, sjelljet e policëve serbë Pacolli i krahason me atë të viteve 90-ta

Sot në Beograd do të hapet festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014.

Mirëpo pjesëmarrësit e Kosovës në këtë festival janë përballur me kontrolle të shumta e të detajuar nga Policia serbe në kufi.

Lidhur me këtë ka reaguar, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Ai në një postim në Twitter, sjelljen e tillë e ka krahasuar me atë të viteve të 90-ta.

“Dënoj ashpër sjelljen e policisë kufitare serbe ndaj pjesëmarrësve nga Kosova për “Mirëdita, Dobar dan”, aktivitet ky që kërkon pajtimin mes dy vendeve. Është i njëjti mentalitet dhe sjellje e policisë serbe si në vitet e 90’ta”, ka shkruar Pacolli.

Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. /Indeksonline/