17:31 / E Diele, 29 Nëntor 2020 / Blerim

Festuan me armë në Podujevë, policia ua prish “gëzimin”

Të shtëna me armë zjarri ka pasur në një aheng familjar në Podujevë, gjatë ditës së sotme, për të cilin rast ka raportuar pak më parë IndeksOnline.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku ka dhënë detaje.

“Sot rreth orës 14:30 policia ka marrë informatën se në rrugën “Skënder Beu” në Podujevë ka të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së informatës njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para gjurmuese dhe të këqyrjes së vendngjarjes kanë arritur të gjejnë tri gëzhoja.

Ndërkohë që janë gjetur gëzhojat është zgjeruar horizonti i punës hetimore për të identifikuar personin që ka shtënë me armë”, ka thënë për IndeksOnline, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë në Rajonin e Prishtinës.

Veprimet e shpejta hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit; O. M, 58 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës,i cili është intervistuar nga ana e policisë, dhe nga i njëjti është sekuestruar.

Ndërsa sipas Borovcit, është sekuestruar një revole e tipit Broeing, kalibrit 7.65 mm, nga e cila dyshohet të jetë shtënë.

“Nga hetimi paraprak që policia i ka bërë kësaj ngjarjeje është ngritur versioni dyshimit se i dyshuari për arsye të një gëzimi familjar ka shtënë me armë si formë e shprehjes së gëzimit.

Policia konform rekomandimit të prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim ndaj të dyshuarit për rastin mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”./Indeksonline