11:57 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

FFK-ja kërkon të largohen fushat me bari sintetik

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e klubeve të Superligës, derisa është diskutuar shtyerja e edicionit të ri futbollistik.

FFK-ja tashmë prej kohëh ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e kampionatit, mirëpo për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë “dritën jeshile” për startin e sezonit.

Gjithashtu në këtë takim klubet janë dakorduar që ndarja e të hollave nga drejtat televizive të bëhet në mënyrë të barabartë, ashtu siç ka qenë edhe në edicionet e kaluara.

Ndër të tjera është diskutuar edhe për klubet që ndeshjet i zhvillojnë në terren me bari sintenik, teksa është propozuar që ato të zëvendësohen dhe të rregullohen me bari natyral.

Për fillimin e sezonit 2020-21 dhe ndeshjen finale të Superkupës do të merret vendimi më vonë nga Komiteti Ekzekutiv.