22:52 / E Enjte, 26 Janar 2023 / Gj. Sh

FFK nesër mban Kuvendin, AGK-ja kërkon që të jetë i hapur për mediat dhe transparent

Federata e Futbollit të Kosovës, nëser do të mbaj një Kuvend të jashtëzakonshem ku pritet të ketë diaa ndryshime në statut.

Mbajtja e Kuvendit ishte paralajmëruar nga Komiteti  Ekzekutiv i FFK-së, më gjashtë janar të këtij viti, transmeton IndeksOnline.

“KE shqyrtoi dhe miratoi draft-Statutin e FFK-së për të cilin ka punuar Komisioni i FFK-së, së bashku me ekspertët e UEFA-s, e që është një Statut shumë i avancuar në përputhje të plotë me atë UEFA-s dhe me specifikat e FFK-së dhe të kohës. Për miratimin e këtij Statuti, KE caktoi për datën 27 janar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, me vetëm një pikë të Rendit të ditës, Miratimi i Statutit të ri dhe Akteve tjera të nevojshme”, thuhej një njoftim.

Pas këtij njoftimi, FFK-ja nuk ka bërë asnjë njoftim tjetër deri më tani për mbajtjen e këtij Kuvendi.

Rreth kësaj ka reaguar edhe Asosiacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku ka kërkuar nga FFK-ja, që ky Kuvend të jetë i hapur për mediet dhe transparent.

Njoftimi i plotë:

AGK-ja i bën thirrje FFK-së të organizojë Kuvend të hapur për mediet dhe transparent

Pak orë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FFK-së, gazetarët dhe mediet në Kosovë nuk e kanë asnjë informacion për vendin dhe orën e kësaj ngjarjeje.

AGK-ja, i bën thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur dhe transparent, në mënyrë që opinioni të jetë i informuar për vendimet e rëndësishme që do të merren në këtë Kuvend. Kjo bëhet akoma më e rëndësishme në kohën kur shtëpia më e madhe e futbollit në vend nuk e ka përfunduar ende procesin e licencimit. Në cilëndo rrethanë, FFK-ja, duhet të krijojë kushtet e nevojshme për raportimin profesional të medieve./IndeksOnline/