FFK themelon Akademinë e Referimit të Kosovës
Qëllimi i kësaj akademie është identifikimi, edukimi dhe përgatitja profesionale e gjyqtarëve të rinj, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për të ardhmen e referimit në Kosovë.
Ligjërues dhe mentorë të akademisë do të jenë gjyqtarët me stemë të FIFA-s, Fatlum Berisha, Besnik Morina, Bujar Selimani dhe ish-gjyqtari Kreshnik Vula, të cilët me përvojën dhe ekspertizën e tyre do të kontribuojnë në formimin e gjeneratave të reja të arbitrave.
I gjithë projekti do të udhëhiqet nga Përparim Hasani, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, i cili ka qenë iniciatori dhe mbështetësi kryesor i këtij programi zhvillimor.
Të gjitha informatat lidhur me procesin e rekrutimit, kriteret e aplikimit dhe mënyrën e regjistrimit do të publikohen zyrtarisht nga data 1 korrik përmes kanaleve të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës.
Akademia e Referimit të Kosovës shënon një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së referimit dhe krijimit të mundësive të reja për të rinjtë që dëshirojnë të ndërtojnë karrierë në futboll.

