14:40 / E Hënë, 29 Maj 2023 / B O

FHK-ja me tetë skuadra në Kupat Ndërkombëtare, Istogu klubi i vetëm në Ligën Evropiane

Federata e Hendbollit e Kosovës e ka të drejtën e prezantimit me tetë skuadra në Kupat Evropiane në edicionin garues 2023/2024.
Te hendbollistët, katër skuadra mund të paraqiten për të garuar në Kupën Evropiane (EHF European Cup). Ndërkohë te hendbollistet, kampioni, Istogu, e ka të drejtën e paraqitjes në Ligën Evropiane (EHF European League). Tri skuadra të tjera mund të paraqiten në Kupën Evropiane (EHF European Cup).

Besa Famgas, Istogu por edhe skuadrat tjera do të synojnë të bëjnë hap para në kupa evropiane në edicionin e ardhshëm garues. Shumica e skuadrave tona pritet ta shfrytëzojnë të drejtën e garimit në gara evropiane në edicionin tjetër, që fillon në vjeshtë.

KHF Istogu është klubi i vetëm kosovar që e ka të drejtën e paraqitjes në EHF European League, përkatësisht në Ligën Evropiane. Liga Evropiane është niveli i dytë i garave kontinentale për klube.

“Jemi të përkushtuar që të garojmë në Ligën Evropiane. Kjo është vërtetë sfiduese. Kushtet që kërkohen janë më të shumta, ndërsa edhe skuadra duhet të jetë e nivelit më të lartë. Prandaj planifikojmë më shumë investime, që janë të pamundura pa përkrahjen e sponsorëve dhe komunës. Po ashtu nuk duhet ta kemi brengë punën e palestrës, që nuk është në gjendje të mirë. Shpresojmë fuqishëm se renovimet në palestër do të nisin të shpejti, që shtëpia e sportistëve të Istogut të jetë gati në fillim të edicionit të ardhshëm. Është koha të bëjmë hapa para dhe paraqitja në Ligën Evropiane është hap gjigant në fakt. Atë mund ta bëjmë vetëm nëse kemi përkrahjen e duhur të të gjitha palëve të përfshira”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala.