75 Mall Live Search
09:17 / E Shtunë, 23 Maj 2026 / Gj Sh

FIFA Club World Cup mbetet me format katërvjeçar, planifikohet edicioni i ardhshëm

FIFA nuk pritet të ndryshojë formatin e ri të Kupës së Botës për Klube, me turneun që do të vazhdojë të zhvillohet çdo katër vite.

Sipas raportimit të Diario AS, edicioni i ardhshëm i kompeticionit është planifikuar për vitin 2029, duke lënë mënjanë idenë e një organizimi çdo dy vite, shkruan IndeksOnline.

Pas debutimit të formatit të zgjeruar me 32 skuadra në vitin 2025, kishte spekulime se FIFA po shqyrtonte mundësinë që turneu të mbahej më shpesh për shkak të interesit të madh financiar dhe komercial. Megjithatë, raporti i Diario AS thekson se aktualisht skenari më i mundshëm mbetet cikli katërvjeçar.

Në muajt e fundit, media të ndryshme ndërkombëtare raportuan se disa klube elitare evropiane kishin shtyrë idenë që FIFA Club World Cup të organizohet çdo dy vite, por projekti hasi në rezistencë për shkak të kalendarit të ngarkuar dhe shqetësimeve për lodhjen e futbollistëve.

Kështu, të paktën për momentin, ky turne duket se do të ndjekë modelin tradicional katërvjeçar, me sytë tashmë të kthyer nga edicioni i vitit 2029./IndeksOnline/