17:50 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

FIFA: Mjetet u ndanë që federatat ti kryejnë obligimet, priten ndihma të tjera

FIFA ka dhuruar 150 milionë dollarë për 211 vendet e saj anëtare që është edhe ‘hapi i parë i një plani të gjerë lehtësimi financiar’ që do të vazhdojë për shkak të koronavirusit.

Sipas një njoftimi për shtyp çdo federatë do të marr fillimisht nga 500,000 dollarë (463,000 €) dhe pjesa tjetër e mbetur nga detyrimet për edicion 2019/2020.

Indeksonline ka kontaktuar zyrën për media pranë shtëpisë më të madhe të futbollit në Botë për të sqaruar se për çfarë qëllimesh konkretisht janë ndarë këto mjete.

FIFA ka thënë se këto mjete janë ndarë për ndonjë obligim të mundshëm të Federatave në këtë kohë krize nga pandemia.

Transferimi i menjëhershëm i fondeve përcjellëse është menduar fillimisht si ndihmë financiare për Federatat tona anëtare, shumë prej të cilave po përjetojnë shqetësime të mëdha financiare. Kjo ndihmë e menjëhershme financiare duhet të përdoret për të zbutur krizën financiare të shkaktuar nga COVID-19 në futboll në Federatat anëtare, përkatësisht për të përmbushur detyrimet financiare ose operacionale që mund të kenë”.

Zëdhënësja e shtëpisë botërore të futbollit, Thayssa Plum gjithashtu ka paralajmëruar se pritet të ketë edhe ndihma të tjera për federatat anëtare.

Ky është vetëm hapi i parë i një plani të gjerë të lehtësimit financiar global që aktualisht është duke u zhvilluar për t’iu përgjigjur urgjencës në të gjithë komunitetin e futbollit”, ka thënë zëdhënësja e FIFA-s për Indeksonline.

Në Kosovë edhe klubet janë duke kërkuar ndihmë vazhdimisht pasi që duhet t’i përmbushin obligimet ndaj lojtarëve. /IndeksOnline/