Nis aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen, më 28 dhjetor 2025.
Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.
Gjatë kësaj periudhe 16-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP-ja, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.
Informacione shtesë:
· Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontaktoni në zyrë përmes e-mailit zyra.kqz@kqz-ks.org apo përmes telefonit +383 38 200 81 010.
· Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund të vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 qendrat komunale të numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

